Lidhje

Shqipëria dhe Kosova përkujtojnë eksodin e refugjatëve të luftës


Kryeministri Hashim Thaçi tha se Kosova po ndërmerr hapa të shpejtë në integrimin euro-atlantik, pas një procesi të suksesshëm të shtetformimit.

Qeveria e Tiranës dhe ajo e Prishtinës përkujtuan sot 15 vjetorin e eksodit masiv të shqiptarëve të Kosovës, nga dhuna e ushtrisë serbe. Veprimtari të ndryshme u zhvilluan në pikën kufitare të Morinit dhe në qytetin e Kukësit, i cili ishte mikpritësi kryesor dhe më i madh i qindra mijëra shqiptarëve të dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre prej ushtrisë dhe paramilitarëve serbë.
15-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës nga dhuna serbe
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:22 0:00

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se lufta e shqiptarëve ishte e drejtë, ndaj edhe nderimi për viktimat dhe heronjtë e tyre është i madh. Ai tha se mikpritja e Shqipërisë për qindra mijë civilë të pambrojtur bëri që ata ta përballojnë luftën me dinjitet. Zoti Thaçi tha se politikat genocidale ndaj popullit shqiptar ishin krime kundër njerëzimit. Kjo është arsyeja pse e gjithë bota na ka mbështetur. “Kosova - tha ai - po ndërmerr hapa të shpejtë në integrimin euro-atlantik, pas një procesi të suksesshëm të shtetformimit”.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se ndryshimet në të dy anët e kufirit janë të mëdha 15 vjet pas asaj lufte të drejtë dhe bashkëpunimit për të përballuar atë krizë të rëndë humanitare, kur shqiptarët e Kosovës lanë shtëpitë përballë makinës vrasëse të Sllobodan Milosheviçit. “Ndërsa tani shqiptarët shohin bashkarisht nga e ardhmja, duke nisur nga arsimi, - tha zoti Rama. - Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës bëjnë mbledhje të përbashkëta për bashkëpunim ekonomik, arsimor, energjitik dhe në çdo fushë, sepse po ecin drejt një të ardhme të përbashkët, që është Bashkimi Europian”.

Kryeministri Rama shprehu mirënjohje për Partinë Demokratike dhe ish-kryeministrin Sali Berisha, për ndihmesën e tyre në përpjekjen e përbashkët të shqiptarëve për pavarësinë e Kosovës. “Pavarësisht nga ndasitë politike, - tha ai, - shqiptarët janë të bashkuar kur bëhet fjalë për çështjen e Kosovës”. Por ndërkohë që ai i shprehu mirënjohje Partisë Demokratike për çështjen e Kosovës, në këto ceremoni ra në sy mungesa e përfaqësuesve të opozitës. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi në kryeqytet se opozita nuk ka marrë ftesë për të qenë e pranishme në ato veprimtari përkujtimore kushtuar 15-vjetorit të eksodit të shqiptarëve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG