Lidhje

Thaci: Sulmi ndaj pikës kufitare është udhëhequr nga Beogradi


Thaci: Sulmi ndaj pikës kufitare është udhëhequr nga Beogradi
Thaci: Sulmi ndaj pikës kufitare është udhëhequr nga Beogradi

Autoritetet në Kosovë, e kanë akuzuar Beogradin zyrtar dhe strukturat paralele në veriun e vendit, për sulmin ndaj vendkalimit kufitaar në Jarinë, në komunën e Leposavicit në veri. Në orët e mbrëmjes, grupe protestuesish serb i kanë vënë flakën vendkalimit kufitar në Jarinë, vetëm pak kohë pasi që njësitë e posaçme të policisë së Kosovës, i dhanë fund operacionit për vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare më Serbinë në veriun e banuar me shumicë serbe. Kjo është hera e dytë që kjo postë kufitare digjet nga protestuesit serbë. Herën e parë ajo u dogj pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci, e ka akzuzuar Beogradin zyrtar dhe strukturat paralele në veriun e vendit, për sulmin ndaj vendkalimit kufitar në Jarinë, në komunën e Leposavicit në veri. Ai i bëri këto komente, gjatë një konference të jashtëzakonshme për shtyp gjatë orëve të vona të natës, ku tha se sulmi ndaj pikës kufitare është udhëhequr dhe bashkërenduar nga udhëheqësit e lartë të Beogradit, duke nënvizuar se me këto veprime është, sic tha ai, demaskuar edhe publikisht politika e Beogradit ndaj Kosovës.

“Fatkeqësisht, në orët e pasditës, një grup kriminal i udhëhequr nga liderët e strukturave paralele serbe, të motivuara nga autoritetet e Beogradit, kanë sulmuar pikën 1. Këto veprime të dhunshme janë urdhëruar, koordinuar dhe udhëhequr nga strukturat më të larta politike të qeverisë së Serbisë. Djegia e pikës 1 është bërë nga njerëz me maska, por gjithcka është e qartëë, pas kësaj djegie qëndron Beogradi, politika e Beogradit”, tha ai.

Kryeministri Thaci, bëri të ditur se forcat paqeruajtëse të NATO-s dhe të policisë së Kosovës, janë duke bërë përpjekje për të mbajtur nën kontroll situatën në vendkalimet kufitare. Ai tha se institucionet e Kosovës nuk do të bëjnë asnjë kompromis.

“Ju garantojmë se do ta kthejmë rendin dhe ligjin. Keni besim në ne, ruani qetësinë, ne në asnjë rrehtanë nuk do të zbrapsemi, nuk do të kemi asnjë milimetër kthim mbrapa. Për Kosovën do të ketë vetëm ecje përpara, nuk do të ketë rikthim të gjendjes së status kuos, madje as të gjendjes së para dy ditëve. Ky është momenti i së vërtetës për Kosovën, momenti i ecjes përpara, momenti për vënien e rendit dhe ligjit pas 12 vjetësh, ky është momenti i unitetit politik dhe qytetarë, kërkohet solidaritet dhe kërkohet besim te institucionet e vendit”, tha ai.

Kryeministri Thaci, iu bëri thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të kenë besim në institucionet e Kosovës, duke nënvizuar se në atë pjesë të vendit do të kthehet rendi dhe ligji.

“Dua të ju siguroj, se nuk të ketë kthim mbrapa dhe skenari i Serbisë për ndarjen të veriut të Kosovës nuk do të ndoh kurrë dhe në asnjë rrethanë. Kurrë më të vendosur në këto 12 vjetët e fundit nuk kemi qenë dhe gjithë bota është e mirëkuptueshme në qasjen tonë të vendosur. Ruajtja e qetësisë, sigurisë dhe tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës është detyra jona parësore, kushtetuese dhe legjitime”, tha kryeministri Thaci.

Në orët e mbrëmjes, grupe protestuesish serb i kanë vënë flakën vendkalimit kufitar në Jarinë, në komunën e Leposaviçit në veri, vetëm pak kohë pasi që njësitë e posaçme të policisë së Kosovës, i dhanë fund operacionit për vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare më Serbinë në veriun e banuar me shumicë serbe.

Grupe protestuesish kanë hedhur shishe me benzinë në postën kufitare ndërsa kanë përdorur edhe buldozerë për shkatërrimin e saj. Burimet serbe në veri thanë se shishe me benzinë janë hedhur edhe ndaj trupave të NATO-s.

Ndaj kësja situate ka reaguar presidenti i Serbisë Boris Tadiç, i cili ka bërë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të dhunës në Jarinë. Ai citohet të ketë thënë se “huliganët që nxisin dhunë, nuk janë ata që i mbrojnë as qytetarët e as shtetin serb”.

Edhe Ministri serb në qeverinë e Kosovës Goran Bogdanoviç e ka dënuar djegien e vendkalimit kufitar ndërsa i ka cilësuar si ekstremistë grupet e protestuesve që sulmuan postën kufitare.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s thanë se kanë vendsour trupa shtesë në veri për të rivendosur rendin. Në një komunikatë të KFOR-it thuhet se “pas një dite demonstrimi, situata u përkeqësua në pikën doganore në Jarinë, dhe persona të panjohur i kanë vënë zjarrin kësaj pike kufitare. Gjithashtu janë konfirmuar raportimet për të shtëna ndaj personelit të KFOR-it në afërsi.

Kjo është hera e dytë që kjo postë kufitare digjet nga protestuesit serbë. Herën e parë ajo u dogj pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Njësitë e posaçme të policisë së Kosovës, filluan të hënën në mbrëmje një operacion për vënien nën kontroll të dy vend kalimeve kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe. Operacioni u urdhërua nga qeveria e Kosovës në përpjekje për të zbatuar vendimin për ndalimin e importeve nga Serbia i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës ku nuk funksionojnë doganat e vendit.

Aksioni i policisë nuk është mbështetur nga EULEX-i dhe Bashkimi Evropian.

XS
SM
MD
LG