Lidhje

Thirrja e Presidentit Biden për miratimin e ligjit për të drejtën e votës


Votuesit duke pritur në radhë në Karolinën e Veriut gjatë zgjedhjeve të 2020-tës
Votuesit duke pritur në radhë në Karolinën e Veriut gjatë zgjedhjeve të 2020-tës

Presidenti Joe Biden ishte të martën në Filadelfia për të bërë thirrje për miratimin e ligjit për të drejtën e votës, i cili ka ngecur në Kongres, por ai nuk paraqiti një plan për të tejkaluar kundërshtimin e republikanëve. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, fjalimi i tij u mbajt ndërsa republikanët në disa legjislatura të shteteve amerikane po përpiqen të miratojnë masa që kufizojnë qasjen në votime.

Qyteti Filadelfia, në shtetin Pensilvani, është vendlindja e demokracisë amerikane. Aty ndodhen objekte historike, si Këmbana e Lirisë, që përkujtojnë nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë. Të martën, ky qytet u bë sfondi i përpjekjeve të Presidentit Joe Biden për të siguruar të drejtën e votës.

Presidenti Joe Biden duke folur në Filadelfia (13 korrik 2021)
Presidenti Joe Biden duke folur në Filadelfia (13 korrik 2021)

“U kërkojmë miqve tanë republikanë në Kongres, në shtete, bashki dhe komuna që, për hir të Zotit, të ndihmojnë ta ndalim këtë përpjekje të organizuar për të dëmtuar zgjedhjet tona dhe të drejtën e shenjtë të votës. A nuk kanë turp?”, tha Presidenti Biden.

Ai u bëri thirrje demokratëve të bashkohen dhe të luftojnë, por nuk paraqiti një strategji të re për të promovuar ligjin e ri federal që do të zgjeronte qasjen tek vota në mbarë vendin.

Projektligji është bllokuar nga republikanët që në qershor.

Janë shtetet, dhe jo qeveria federale, ato që vendosin se si votojnë amerikanët dhe se si numërohen votat. Këtë vit, të paktën 17 shtete me legjislatura me shumicë republikane kanë kaluar ligje që demokratët thonë se do të vështirësojnë pjesëmarrjen në zgjedhje, në veçanti për pakicat.

Të hënën, ligjvënësit demokratë u larguan nga sesioni legjislativ në Teksas ku po diskutohej një projektligj për kufizime ndaj votimit.

Vendet bosh në legjislaturën e Teksasit pas largimit të demokratëve (13 korrik 2021)
Vendet bosh në legjislaturën e Teksasit pas largimit të demokratëve (13 korrik 2021)

“Përpjekjet e republikanëve në mbarë vendin, përpjekjet kundër votës, po arrijnë pikën e krizës në shtetin e Teksasit”, tha Chris Turner, ligjvënës demokrat në Teksas.

Republikanët thonë se ligjet synojnë të eliminojnë manipulimin zgjedhor.

“Është e pandershme dhe krejtësisht false të pretendohet se çdo përpjekje për të parandaluar vjedhjen është një përpjekje e kamufluar që synon pengimin e votuesve”, tha Senatori republikan John Cornyn.

E drejta e votës është bërë burimi i ndasive të thella partiake.

Një anketim i bërë rishtazi nga Universiteti Monmouth tregoi se 32% e të anketuarve besojnë se Presidenti Biden fitoi vetëm “për shkak të manipulimit zgjedhor”, megjithëse nuk ka prova për këtë.

“Nxitja vjen kryesisht nga pretendimet e Donald Trump-it, që nga viti 2016, kur ai u shpreh se nëse do të humbiste në zgjedhje, kjo do të ndodhte për shkak të manipulimit të tyre. Ai ngriti të njëjtin argument përpara dhe pas zgjedhjeve të 2020-tës. Pra një pjesë e mirë nxiten nga Donald Trump-i. Por në këtë pikë, baza e tij dhe baza republikane e pëlqejnë këtë argument”, thotë David Schultz, profesor për legjislacionin zgjedhor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Minesotas.

Presidenti Biden e quajti një gënjeshtër...

Ndërsa ish-Presidenti Trump përsërit pretendimin e tij... Besimi i mbështetësve të tij se Presidenti Biden i vodhi zgjedhjet e 2020-tës, rezultoi në sulmin ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara më 6 janar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG