Lidhje

Thirrje për një "dialog të ri" rreth temës së racizmit në Amerikë


Në një ekran duket kandidatja demokrate për nënpresidente Kamala Harris duke folur gjatë marshimit

Aktivisti për të drejtat civile, pastori Al Sharpton, foli të premten përpara mijëra njerëzve që ishin mbledhur në Uashington për të marshuar kundër ushtrimit të tepruar të dhunës policore dhe në mbështetje të reformimit të sistemit të drejtësisë penale. Ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet të zhvillojnë "një dialog të ri" për racizmin në sistem që ai thotë se vazhdon të dëmtojë Amerikën.

"E kemi biseduar prej dekadash. Është koha ta bisedojmë me Amerikën", tha zoti Sharpton. "Duhet të bisedojmë për racizmin tuaj, për paragjykimin tuaj, për urrejtjen tuaj, për mënyrën se si do të na e vinit gjurin në qafë ndërsa ne përgjërohemi për jetën tonë".

Komentet e zotit Sharpton u bënë gjatë marshimit të titulluar "Hiqeni Gjurin Tuaj Nga Qafët Tona" tek Memoriali i Linkolnit, të organizuar nga Rrjeti i Aksionit Kombëtar i zotit Sharpton, dhe të tjerë, pasi afrikano-amerikani George Floyd vdiq kur një oficer i bardhë i policisë së Minneapolisit i vendosi gjurin në qafë ndërsa zoti Floyd thërriste vazhdimisht se nuk merrte dot frymë.

Marshimi përkoi me 57 vjetorin e Marshimit historik drejt Uashingtonit për Punë dhe Liri, gjatë të cilit Martin Luther King Jr. mbajti fjalimin e tij të famshëm "Unë kam një ëndërr".

Pastori Al Sharpton (në qendër) mbërrin tek Memoriali i Linkolnit
Pastori Al Sharpton (në qendër) mbërrin tek Memoriali i Linkolnit

Jamal Bryant, pastor i Kishës së Lindjes së Re Misionare Baptiste në qytetin Baltimorë, të shtetit Merilend, iu drejtua gjithashtu turmës duke thënë se "nuk mund të jemi të paralizuar".

"Nuk mund të lejojmë të na paralizojnë evangjelistët e bardhë, të cilët thonë se nuk mund ta mbështesin programin tonë pasi janë pro-jetës (kundër abortit). Nuk mund të më thoni se jeni pro-jetës dhe evangjelistët e bardhë heshtin kur afrikano-amerikanët vdesin rrugëve si qentë", tha pastori. "Duhet të vazhdojmë derisa brezi ynë të marrë stafetën, të ndryshojë vendin dhe ta bëjë Amerikën madhështore për të parën herë".

Marshimi pasoi muaj demonstrimesh që nga vdekja e zotit Floyd, në të cilat protestuesit në të gjithë Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar policinë për dhunë të pajustifikuar ndaj afrikano-amerikanëve.

Pjesëmarrësit në marshimin kundër padrejtësisë racore
Pjesëmarrësit në marshimin kundër padrejtësisë racore

Në fillim të kësaj jave, një oficer policie në Kenosha, të shtetit Wisconsin, qëlloi 29-vjeçarin Jacob Blake, tetë herë në shpinë përpara dëshmitarëve, ndër ta edhe fëmijët e vegjël të zotit Blake. Zoti Blake tani është paralizuar nga beli poshtë.

Organizatorë të tjerë të veprimtarisë të së premtes ishin Martin Luther King III; NAACP, organizata më e vjetër e të drejtave civile të vendit; Federata Hispanike; Lidhja Kombëtare Urbane; dhe grupe dhe sindikata të tjera për të drejtat civile.

Aktiviteti filloi në shkallët e Memorialit të Linkolnit. Nga atje, demonstruesit planifikuan të marshojnë drejt Memorialit të Martin Luther King Jr. Ndër folësit ishin ligjvënës dhe të afërm të njerëzve që kanë vdekur si rezultat i dhunës policore.

Fillimisht, deri në 100'000 njerëz pritej të merrnin pjesë ditën e premte, por vlerësimet u ulën në rreth 50'000, sipas një lejeje të lëshuar nga Shërbimi Kombëtar i Parqeve.

Pandemia e koronavirusit ishte një faktor i pjesëmarrjes në ngjarjen e së premtes. Organizatorët thanë se do të kontrollohej temperatura e të gjithë pjesëmarrësve, se do të kishte 200 stacione të dezinfektimit të duarve, dhe se të gjithë pjesëmarrësve do t'u kërkohej të mbanin maska për fytyrën.

Distancim fizik mes pjesëmarrësve ndërsa mbërrinin protestues të tjerë
Distancim fizik mes pjesëmarrësve ndërsa mbërrinin protestues të tjerë

Organizata e zotit Sharpton anuloi disa autobusë të prenotuar nga shtetet me shkallë të lartë të COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi, pasi Uashingtoni ka vendosur një karantinë dy-javore për njerëzit që hyjnë në qytet nga disa shtete, ndër to Florida, Xhorxhia dhe Teksasi.

Njerëzit që morën pjesë në këtë aktivitet u ndanë në zona ku do të ishin në gjendje të mbanin distanca të përshtatshme sociale, ndërsa shikonin dhe dëgjonin aktivitetet në ekrane të mëdha.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG