Lidhje

Tillerson: Irani po respekton marrëveshjen por Trump dëshiron të ndreqë mangësitë


Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson e pranoi sot se Irani “teknikisht po respekton” marrëveshjen ndërkombëtare për frenimin e zhvillimit të armëve bërthamore, por tha se Presidenti Donald Trump kërkon të zbatojë një “stategji më të plotë” për të rregulluar ato që udhëheqësi amerikan i shikon si të meta në pakt.

Kryediplomati amerikan i tha rrjetit televiziv CNN se Teherani ka “demonstruar praktikën e shkuarjes deri në kufi” të moszbatimit të marrëveshjes së vitit 2015, duke bërë që Presidenti Trump të mos çertifikojë të premten respektimin e marrëveshjes nga Irani, dhe duke ia lënë në dorë Kongresit mundësinë për të rivendosur sanksionet që ishin para arritjes së marrëveshjes së Teheranit me Shtetet e Bashkuara, Bashkimit Evropian, Francën, Britaninë Gjermaninë, Rusinë dhe Kinën.

Zoti Tillerson tha se Presidenti Trump dëshiron që Kongresi, ndoshta përmes një marrëveshjeje tjetër, të rregullojë një “numër mangësish” në marrëveshjen bërthamore dhe të trajtojë “një listë më të gjerë kërcënimesh” që Irani paraqet me agresionin ushtarak dhe “aktivitetet destabilizuese” në Lindjen e Mesme. Ai tha se provat e Iranit me raketa balistike, të papërfshira në marrëveshje, duhet të ndalohen dhe duhet të vendoset një kufizim më përcaktues ndaj programit të tij bërthamor. Zoti Tillerson tha se marrëveshja aktuale “thjesht shtyn procesin” mbi ambicjet bërthamore të Iranit. Ndërkohë, nëse Kongresi shqyrton nëse do të vërë sanksione të reja, tha zoti Tillerson, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera nënshkruese duhet që të zbatojnë plotësisht marrëveshjen.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif që negocioi paktin për Teheranin, i tha emisionit “Face the Nation” në kanalin televiziv CBS se me kundërshtimin e marrëveshjes nga zoti Trump, “askush tjetër nuk do të besojë ndonjë administratë amerikane që të angazhohet në negociata afatgjata, sespe zbatimi i marrëveshjeve afatgjata tani e tutje varet nga zgjatja e mandatit të një presidenti amerikan”.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, i tha rrjetit televiziv NBC se mendonte se për momentin Shtetet e Bashkuara do të respektojnë marrëveshjen me shpresat për të përmirësuar situatën dhe se ky ishte synimi. Nuk po braktisim marrëveshjen, tha ajo, por po mundohemi që ta përmirësojmë situatën në mënyrë që amerikanët të ndihen më të sigurtë, u shpreh ajo. Asnjë nga pesë shtetet apo Bashkimi Evropa që arritën marrëveshjen me Iranin nuk është pajtuar me qëndrimin kundër të Presidentit Trump.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG