Lidhje

Tiranë: Ndahet nga jeta studiuesi dhe publicisti i njohur Fatos Baxhaku


Fatos Baxhaku
Fatos Baxhaku

Komuniteti shqiptar i shtypit është në zi në Shqipëri për publicistin e njohur Fatos Baxhaku, i cili humbi jetën të premten në moshën 55 vjeçare nga një sëmundje e rëndë dhe e gjatë. Pas përfundimit të studimeve në Universitetin e Tiranës për Histori në fund të viteve 1980, zoti Baxhaku u përfshi thuajse plotësisht si gazetar e analist në shtypin e ri të sapokrijuar në fillim të viteve 90.

Në fushën profesionale ai la të botuara dy studime në gjermanisht “Struktura e popullatës dhe kufitjë etnikë mes shqiptarëve, serbëve dhe maqedonasve në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe fillim të shek XX”, Vienë 1994 dhe “Themeli i shoqërisë në Shqipërinë veriore. Dëshmi dhe kërkime të konsujve dhe studiuesve austriakë”, Vienë 1996.

Gjatë tranzicionit, Fatos Baxhaku u bë shpejt i njohur për punën voluminoze në shtypin e shkruar si reporter i thjeshtë, redaktor dhe drejtues redaksie në gazeta, revista dhe televizione të ndryshme vendase.

Zoti Baxhaku u bë veçanërisht i njohur me serialin e dokumentarëve televizivë “Tunel”, një cikël disavjeçar kronika udhëtimesh të autorit nëpër Shqipëri, ku ai raportoi për jetën e njerëzve të thjeshtë në çdo cep të vendit, traditat, historinë dhe të përditshmen e tyre.

Pasioni për historinë dhe gazetarinë e shtynë zotin Baxhaku të botojë një seri librash të tjerë me studime dhe reportazhe si “Gur”, Tiranë 2008, “Në Mirditë & Rreth e Rrotull”, Tiranë 2009, “Roje: Bestytni shqiptare të Shekullit XXI”, Tiranë 2012, “Çadra e Kuqe”, Tiranë 2013, “Gra të Përgjithshme” Tiranë 2014.

Ai përgatiti prej udhëtimeve të shumta edhe një seri guidash turistike për qytetet historike si Lezha, Berati, Elbasani, Vlora, Gjirokastra, Pogradeci, Saranda, Shkodra, Korça, Durrësi.

Gjatë angazhimit afro 30 vjeçar në botime dhe publicistikë, zoti Baxhaku ishte edhe pedagog dhe mentor i disa breza studentësh të gazetarisë së shkruar dhe televizive, të cilët po e nderojnë sot mësuesin e tyre me një mori vlerësimesh.

Për largimin e parakohshëm nga jeta të Fatos Baxhakut dhanë vlerësime e komente publike edhe përfaqësuesit më të lartë të shtetit, politikës dhe qarqeve akademike shqiptare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG