Lidhje

Tiranë, tensionet mbeten të larta. Veliaj mbron shembjen e Teatrit


Albania, National Theatre Protest

Në Shqipëri, tensionet që pasuan shembjen dje të Teatrit Kombëtar vazhdojnë të jenë të larta.

Të hënën, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj mbrojti sërish vendimin pë prishjen e Teatrit dhe për ndërtimin aty të një godine të re dhe moderne, siç u shpreh ai.

Zoti Veliaj bëri një prezantim të projektit për Teatrin e Ri, duke këmbëngulur se nuk kishte asnjë mundësi për rikonstrutimin e godinës që u shemb dje. "Edhe nëse do të rindërtohej do të duhej të hidhej poshtë e gjithë ndërtesa, pa mundur të ruhej asnjë element i të shkuarës", tha ai.

Shembja e Teatrit u bë në orët e para të mëngjesit të së dielës, ndërsa qindra forca rrethuan zonën dhe larguan me forcë personat që gjendeshin brenda në godinë.

Zoti Veliaj tha se u zgjodh ai moment për të shmangur konfliktin me ata që e kundërshtonin prishjen, të cilët siç u shpreh ai, përfaqësojnë një pakicë të vogël të artistëve të Teatrit.

Mënyra e ndërhyrjes dhe shembja e Teatrit u kritikua edhe nga përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar.

Ashtu siç deklaroi dje Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, edhe sot Komisioni Evropian theksoi se kishte kërkuar dialog midis autoriteteve dhe shoqërisë civile para se të merrej një vendim i pakthyeshëm” dhe se “ndjehej i keqardhur që kjo thirrje nuk u ndoq nga institucionet përkatëse kombëtare dhe vendore”.

Sot Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka thirrur një protestë në kryeqytet, e cila është mbështetur edhe nga opozita.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG