Lidhje

Tirana përshëndet marrëveshjen Thaçi-Daçiç


Autoritetet e Shqipërisë e konsiderojnë atë si historike dhe me rëndësi për paqen, stabilitetin dhe integrimin europian të rajonit të Ballkanit

Autoritet shqiptare përshëndetën sot në mbrëmje firmosjen në Bruksel me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit europian Catherine Ashton, të marrëveshjes mes kryeministrit të Kosovës Hashim Taci dhe atij serb Ivica Dacic.

“Kjo marrëveshje historike përbën një arritje madhore, tejet të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë, normalizimin e marrëdhënieve midis tyre. Marrëveshja e Brukselit – deklaroi kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha - ka një rëndësi të madhe për të gjithë rajonin tonë, për paqen, bashkëpunimin dhe integrimin rajonal dhe europian. Marrëveshja e sotme hap një kapitull të ri në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve në rajonin tonë, në përpjekjet e tyre për një të ardhme të përbashkët europiane”, thekson zoti Berisha.

Edhe ministria e Jashtme e Shqipërisë e cilëson po ashtu historike marrëveshjen.

“Kjo marreveshje, në vijim të të tjerave të arritura në dialogun mes dy vendeve, është jo vetëm në interesin më të mirë të qytetarëve të tyre, por do të kontribuojë edhe për një bashkëpunim më efikas mes të gjitha vendeve të rajonit, dhe për konsolidimin e paqes, sigurisë e stabilitetit rajonal”.

Sipas ministrisë së Jashtme shqiptare “marrëveshja shënon dhe një hap të rëndësishëm përpara për njohjen e mëtejshme ndërkombëtare të Kosoves, për anëtarësimin e saj në OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, vecanërisht për anëtarësimin e saj në BE dhe NATO”.

Marrëveshja është përshëndetur edhe nga udhëheqësi i opozitës Edi Rama, i cili në një mesazh të tij në Twitter shkruan “Krenar për Kosovën që falë një lidershipi vizionar fitoi luftën dhe paqen me dinjitetin më të madh! Më në fund dhe Serbia bëri gjënë e duhur”, nënvizon zoti Rama.
XS
SM
MD
LG