Lidhje

Tiranë, qeveria ndërron prefektët


Në Tiranë, qeveria ndërroi të 12 prefektët e qarqeve, në përpjekje për të thelluar luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Zoti Rama tha se prefektët kanë qenë pasivë deri tani në këto detyra, por prefektët e rinj do të bëjnë më shumë.

Qeveria shkarkoi sot në Tiranë të 12 prefektët e qarqeve në përpjekje për të dhënë një fuqi më të madhe këtij institucioni në kontrollin e territorit, luftën kundër krimit dhe mirëqeverisjen e jetës komunitare.

Kryeministri Edi Rama deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se “prefektët mbetën në hije për një kohë të gjatë dhe roli i tyre do të ridimensionohet në shërbim të luftës kundër krimit dhe korrupsionit”.

Zoti Rama paraqiti përkrah vetes në konferencë shtypi 12 prefektët e rinj që do të vijnë në krye të prefekturave, pothuaj të gjithë me shkollim dhe karrierë ushtarake në rezervë.

Përgatitja e tyre tregon edhe qasjen e re që qeveria ka ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, trafiqeve njerëzore dhe narkotike për t’i ngritur këtë luftë kundër krimit në një shkallë më të lartë.

Opozita po shprehet me akuza të ashpra ndaj qeverisë socialiste për bashkëpunim me krimin e organizuar dhe trafikantët e bimëve narktike.

Kryetari i Partisë Demokratike të opozitës e quajti këtë nismë “një përpjekje të dëshpëruar për ta kthyer vëmendjen diku tjetër nga skandali i madh i narkotikëve”.

Zoti Basha tha se kryeministri Rama e ndan pushtetin me kupolën mafioze e me oligarkët e tenderave.

Këto akuza morën një hov të ri pas nisjes së procesit gjyqësor në Itali ndaj anëtarëve të grupit trafikues të narkotikëve Habilaj, familjarë të ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG