Lidhje

Tirana dhe mjedisi i saj problematik


Tirana dhe mjedisi i saj problematik
Tirana dhe mjedisi i saj problematik

Kryeqyteti shqiptar po përpiqet me të gjitha mënyrat për të ulur ndotjen e lartë mjedisore, duke kërkuar ndihmë dhe mbështetje me financim projektesh nga donatorët më të mëdhenj ndërkombëtarë. Nga një studim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik doli se qendra e kryeqytetit shqiptar është e ndotur 4 herë më shumë se normat më të larta të Bashkimit Europian, ndërsa periferia është e ndotur 2 herë më shumë se norma e lejuar. Ne ajrin e Tiranës gjenden grimca të rrezikshme dhe gazra helmues si dioksid azoti më shumë se 4 herë mbi kufirin shkencor.

Kryetari i ri i bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, ka nisur një seri takimesh me diplomatë dhe donatorë të njohur nga SHBA, Gjermania, Italia, si edhe Banka Botërore dhe Bashkimi Europian. Kërkesa e parë për të gjithë është që të ndihmojnë kryeqytetin të shpëtojë nga ndotjet e larta. Zoti Basha bisedoi me përfaqësuesin e Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadorin Etore Sequi, ku financimet dhe investimet në mjedis zunë vend kryesor.

“Tirana ka detyrë kryesore atë që është edhe një nga objektivat kryesore të Bashkimit Europian, të cilin e përshkruan si Axhenda 20x20x20; më pak ndotje në atmosferë, më shumë parqe brenda vitit 2020. Reduktimi i ndotjeve përmes uljes së trafikut dhe transportit publik, kanalizimeve dhe ujësjellësit, trajtimi i mbetjeve të ngurta dhe ndërtimi i parqeve të reja janë përparësi kryesore të bashkisë së Tiranës. Për këto detyra ne kërkojmë dhe presim financim dhe mbështetje nga Bashkimi Europian” - tha zoti Basha. Ambasadori Sequi shprehu gadishmërinë që të mbështesë Tiranën në rritjen e standarteve dhe cilësisë së jetesës, duke i studiuar projektet një nga një për të zgjedhur ato që i shërbejnë sa më shumë njerëzve.

Tirana konsiderohet nga matjet e OBSH-së si një zonë me rrezik të lartë shëndetësor. Mbi 80 për qind e automjeteve kanë motor diezel që nxjerrin squfur. Grupmoshat më të dëmtuara janë dhe të moshuarit, ndërsa zonat me ndotjen më të lartë janë qendra, 21 Dhjetori, Rruga e Elbasanit dhe Zogu i Zi. Treguesit e ndotjes nuk kanë asnjë përmirësim gjatë dekadës së fundit, përkundrazi, çdo vit shifrat përkeqësohen më tej. Bashkë me to raportohet se ka një shtim të sëmundjeve dhe vdekjeve nga zemra dhe mushkëritë. Një burim kryesor ndotjeje është edhe djegia e mbetjeve plastike. Studiuesit besojnë se jeta e banorëve të Tiranës shkurtohet dy vjet vetëm prej ndotjes, dhe çdo vit shtohen mbi 1 mijë e 400 pacientë me kancer më shumë.

Donatorë amerikanë dhe europianë janë shprehur të gatshëm të mbështesin Tiranën që të shpëtojë nga ndotjet. Gjermania ka shprehur interes për ricklimin e mbetjeve dhe Banka Botërore do të mbështesë ndërtimin e një parku të ri natyror në periferi. Por shumë projekte të tjera pengohen nga mungesa e një plani të përgjithshëm urbanistik që Tirana nuk e ka ende pas 20 vjetësh në demokraci. Tirana ka një ekosistem të dëmtuar dhe ndotje të lartë nga ndërtimet e shumta, ndërsa popullata është trefishuar deri afro një milion banorë brenda një kohe të shkurtër.

XS
SM
MD
LG