Lidhje

Tiranë: Opozita largohet nga diskutimi i amnistisë fiskale në Parlament


Tiranë: Opozita largohet nga diskutimi i amnistisë fiskale në Parlament
Tiranë: Opozita largohet nga diskutimi i amnistisë fiskale në Parlament

Deputetët e Partisë Socialiste të opozitës u larguan sot nga komisioni parlamentar i ekonomisë në kohën kur po diskutohej projekt-ligji për amnistinë fiskale me një përfaqësi të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Deputetja socialiste, Mimi Kodheli, tha se “projekt-ligji ka ardhur me urgjencë nga maxhoranca dhe synon të nxjerrë përfitime elektorale”. Zonja Kodheli tha se “opozita ka nevojë të studiojë materialin dhe diskutimi të vendoset për një kohë tjetër”. Projekti i amnistisë u shpall disa javë më parë nga kryeministri Berisha, duke ftuar edhe opozitën socialiste që ta votonin së bashku në parlament si një ndihmë më shumë për qytetarët, bizneset dhe ekonominë në tërësi.

Deputetët e opozitës dolën nga salla e mbledhjes kur po fliste kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, i cili kërkoi zbutjen e mëtejshme të disa tarifave që lidhen me amnistinë. Ndërsa ministri i financave, Ridvan Bode, që mbrojti me vonë projekt-ligjin, tha se “amnistia përfshin një fushë të gjerë detyrimesh të vjetra dhe një numër mjaft të madh përfituesish duke nisur nga bizneset e vogla e të mëdha, deri tek qytetarët e thjeshtë”.

Projekti i amnistisë parashikon që çdo qytetar mund të legalizojë shuma parash që disponon duke i futur ato në banka dhe duke paguar tarifë 3 për qind. Sipas projektit, qytetarët mund të rivlerësojnë pronat e tyre të paluajtshme me një tarifë 1 për qind, ndërkohë që u falen gjithë taksat dhe tatimet e papaguara deri në fund të vitit 2010. Po ashtu parashikohet të falen edhe gjobat doganore për makinat e importuara deri në dhjetorin e kaluar. Projektligji parashikon falje për një seri detyrimesh për biznesin e vogël e mesëm dhe të madh, gjoba dhe taksa të papaguara doganore, tatime të pashlyera të vjetra. Qeveria hodhi idenë që ta miratonte këtë amnisti së bashku me opozitën si një ligj me 3/5 e votave të parlamentit, përndryshe do të miratohet një variant i shkurtuar si një falje borxhesh me shumicë të thjeshtë votash.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG