Lidhje

Tiranë, shkollë e veçantë me programe amerikane


Në Tiranë, është çelur prej 5 vitesh një shkollë e veçantë me programe akademike amerikane.

Mësues nga Shtetet e Bashkuara ndjekin programet mësimore të shkollave amerikane dhe përpiqen të arrijnë standartet më të mira arsimore.

Krahas shkencave dhe matematikës, aty mësohet edhe gjuha dhe historia e Shqipërisë.

Albanian International School është duke përfunduar vitin e pestë shkollor në Tiranë, falë një grupi mësuesish amerikanë profesionistë dhe me përvojë.

Sarah Sidiki është mësuese e klasës së tretë dhe u mëson fëmijëve matematikë, shkenca dhe gjuhën engleze. Ajo thotë që ndjehet me fat sepse ka nxënës shumë të mirë.

Në përgjithësi ata janë nxënës shumë të mirë, ata dëgjojnë, kuptojnë dhe janë shumë të etur për të mësuar, dhe kanë shumë dëshirë të marrin mësime të para në shumë fusha dhe të shkëmbejnë njohuri në shumë kultura.

“Unë u them fëmijëve të mendojnë përtej gjërave të mbyllura dhe të mos qëndrojnë vetëm tek mendimet e kufizuara, t'i shohin gjërat me sy kritik, të krijojnë lidhje mes tyre, të bëjnë gjithmonë pyetje dhe të kërkojnë përse-në tek çdo gjë. Duke i lidhur gjërat dhe duke menduar rreth tyre, fëmijët krijojnë vetvetiu një perspektivë më të gjerë mbi jetën. Këto ne ua mësojmë atyre qysh në moshë të re, në mënyrë që nesër të bëhen qytetarë të botës, ku nevojitet një informacion përherë e më i madh. Dhe në fakt ata kanë nisur të bëjnë përherë e më shumë pyetje dhe bisedat në mësime janë shumë entuziaste” - tha ajo.

Tod Counes është drejtuesi i trupës mësimore. Ai merret me mbikëqyrjen e zbatimit të standarteve akademike të Shteteve të Bashkuara, dhe përpiqet që nxënësit të arrijnë nivelet amerikane të studimit. Ai thotë se kjo shkollë me 15 mësues dhe afro 100 nxënës nga Shqipëria dhe rajone të ndryshme të botës ka standartet më të larta se çdo shkollë tjetër në Tiranë.

“Integriteti akademik është mesazhi ynë kryesor në punë. Ne përgatitim nxënës të pjekur e të maturuar, jo vetëm nxënës që mësojnë. Për këtë kryhen teste të vazhdueshme. Ata përgatiten për të ndjekur shkolla ndërkombëtare. Qëllimi i shkollës tonë është që të kapë nivelet më të larta arsimore dhe të garojë me shkollat më të mira të botës dhe me nxënësit më të mirë të botës.

Kristofer Tushaj nga Nju Jorku është mësues i guhës angleze, por nuk ngurron të bëjë edhe mësuesin e fiskulturës.

“Nuk e kisha besuar deri tani se sa larmi kulturash gjendet në këtë vend, gjuhë të ndryshme, përvoja shumë të veçanta” - tha ai.

Shkolla Ndërkombëtare ndjek programin mësimor amerikan, bën teste të vazhdueshme për të ndjekur ecurinë e nxënësve gjatë gjithë vitit, duke i vlerësuar sipas standarteve amerikane, dhe kjo e dallon nga shkollat e tjera.

Krahas matematikës, shkencave dhe anglishtes, në shkollë mësohet edhe historia e Shqipërisë, gjuha shqipe dhe ajo franceze.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG