Lidhje

Reforma në drejtësi, Avokati i Popullit fton shoqërinë civile


Avokati i Popullit, Igli Totozani, u bëri sot thirrje qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit që deri në 9 shkurt të kandidojnë për vendet bosh në institucionet e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të njohura si komisione të vettingut.

Zoti Totozani thotë se reforma e drejtësisë tashmë ka filluar dhe komisionet po plotësohen hap pas hapi njëkohësisht, duke nisur nga ai i vettingut.

Komisioni tjetër po aq i rëndësishëm është ai shoqërisë civile, i cili do të përzgjedhë nga një anëtar të saj në këshillin e lartë të gjyqësorit dhe në këshillin e lartë të prokurorisë.

Avokati i Popullit ka ftuar mbi 120 organizata dhe shoqata, që të marrin pjesë me kandidaturat e veta në këtë reformë, ku do të dëgjohet edhe zëri dhe vota e anëtarëve të shoqërisë civile.

Në komisionin e përhershëm të shoqërisë civile duhet të marrin pjesë së paku 5 organizata, por kjo ende nuk është plotësuar.

Ky komision është jetik për funksionimin e klgj dhe klp, sepse ato nuk mund të nisin nga puna pa një anëtar nga shoqëria civile.

Avokati i Popullit është duke pritur aplikimet për anëtarë të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur si komisioni i vettingut, si dhe për komisionin e përhershëm të shoqërisë civile.

Këto vende bosh u shpallën qysh më 26 janar, dhe avokati po i rishpall ato për një afat të ri deri në 9 shkurt.

Reforma, thotë ai, ka mbërritur në një pikë shumë të rëndësishme, ndaj është e nevojshme një pjesëmarrje sa më e gjerë e kandidatëve për vendet bosh në komisionet e reformës në sistemin gjyqësor.

XS
SM
MD
LG