Lidhje

Tiranë: Rreth 70 për qind e fëmijëve pohojnë se dhuna është e pranishme në jetën e tyre


Zyrtarë dhe sociologë pohuan sot në Tiranë se dhuna ndaj fëmijëve është një dukuri shumë e përhapur në shoqërinë shqiptare dhe i dëmton ata në masë të madhe.

“Një studim i fundit ka nxjerrë se 70 për qind e fëmijëve kanë pohuar se dhuna është e pranishme në jetën e tyre. Mosdëgjimi i fëmijëve është një nga format e përhapura të dhunës, po ashtu si dhuna fizike, emocionale dhe ajo seksuale, një pjesë e tyre shfrytëzohen për punë dhe për lypje. Nevoja për të ndërhyrë në këtë drejtim është një përparësi” - tha Bardhylka Kospiri zëvendës ministre e mirëqenies sociale.

Zonja Kospiri i bëri këto komente në konferencën e dytë kombëtare kundër dhunës ndaj fëmijëve.

Sipas saj, në shkolla shihet bulizmi, në shtëpi ka dhunë fizike e psikologjike ndaj fëmijëve, familja, pushteti vendor dhe media duhet të ndihmojnë që të krijohet një mjedis mbrojtës për ta.

Agjencia shtetërore e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve po punon në terren, ligjvënësit kanë hartuar në bashkëpunim me UNICEF një projekt-kod për të drejtat e fëmijëve, pjesë e reformës në drejtësi.

Ndërsa Avokati i Popullit, Igli Totozani, tha në konferencë se realiteti është sfidues sa më shumë miratohen ligje e konventa.

“Pasi dalim nga këto konferenca, ne ndeshim në rrugë përsëri fëmijë që lypin në rrugë e kafene. Në Bulqizë fëmijë, në moshën e fëmijëve të mi, mbledhin copa minerali. Fëmijë të mbyllur nga gjakmarrja, rriten në dhoma të errëta me frikën se do të vriten ose nuk mund të dalin kurrë në rrugë. Në qendra rezidenciale strehohen fëmijë të dhunuar. Puna e ne të gjithëve është e pamjaftueshme, sepse konferencat janë shumë të rëndësishme, ligjet janë shumë të mira, megjithatë dhuna ndaj fëmijëve vazhdon” - tha zoti Totozani.

Konferenca u mbajt për të hartuar dhe koordinuar politikat e reja kombëtare në dobi të fëmijëve.

XS
SM
MD
LG