Lidhje

Totozani: 84 kandidatë për në komisionet e vetingut plotësuan kriteret


Avokati i Popullit i dorëzoi sot Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit listat me 84 kandidatë që plotësuan kriteret dhe 109 që nuk i përmbushën ato për t'u bërë pjesë e institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

84 kandidate gati per komisionin e vetingut
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:20 0:00

Avokati i Popullit, Igli Totozani, bëri sot të dtur se ekspertët e institucionit të tij, nën vëzhgimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitoritmit, përfunduan vlerësimin e dokumentave të gjithë kandidatëve, ndërkohë që në 27 mars u mbyll edhe afati i fazës së dytë.

Në këtë proces gjithsej ishin 193 kandidatë; 29 nga këta i plotësuan kriteret qysh në fazën e parë dhe ishin në listën A. Nga 164 kandidatët e mbetur në listën B, 61 nuk u paraqitën për në fazën e dytë.

Kështu, nga 103 kandidatët e mbetur në fazën e dytë, 55 i plotësuan kriteret dhe kaluan në listën A, duke iu bashkuar 29 kandidatëve fitues të fazës së parë. Ndërsa 48 të tjerë nuk i plotësuan kriteret as në fazën e dytë.

Pra, gjithsej, në fund të dy fazave, 84 kandidatë i plotësuan kriteret dhe 109 të tjerë jo.

“Kandidatët u bënë pjesë e një procesi historik për vendin tonë, për të çuar deri në fund reformën më jetike për shqiptarët, Reformën në Drejtësi” - tha zoti Totozani.

Ai i dorëzoi Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit listën me emrat e kandidatëve, të cilët i plotësuan kriteret ligjore dhe listën e kandidatëve, që nuk i kanë plotësuar ato.

Zoti Totozani vlerësoi përkushtimin në këtë proces të ekspertëve të institucionit, të cilët kontaktuan me 164 aplikantët, që nuk plotësuan kriteret gjatë fazës së parë.

“Kandidatët u vunë në dijeni në mënyrë të detajuar për dokumentacionin, që u mungonte dhe u asistuan gjatë gjithë kohës, për dorëzimin e dokumentacionit të duhur” - tha zoti Totozani.

Ai vlerësoi për ndihmën dhe mbështetjen ekspertët e ONM-së, të cilët “punuan me profesionalizëm dhe korrektesë të jashtëzakonshme, duke përmbyllur me sukses të plotë, këtë punë voluminoze dhe tejet të rëndësishme për të gjithë shqiptarët”.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) përshëndeti përfundimin e punës me kandidatët nga Avokati i Popullit për krijimin e institucioneve të vetingut.

“ONM-ja vlerëson punën e komisionit të vlerësimit pranë Avokatit të Popullit si shumë të plotë, të saktë dhe profesionale. Shqyrtimi i certifikatave të paraqitura nga kandidatët për të plotësuar dosjet e aplikimit është kryer me kujdes, në përputhje me ligjin” - deklaroi ONM-ja.

ONM-ja lavdëron gjithashtu gatishmërinë e Avokatit të Popullit për të publikuar në kohë një listë të konsoliduar kandidatësh, që plotësojnë kriteret e kualifikimit për postet e ndryshme në institucionet e vetingut.

Vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së do të nisin tani shqyrtimin e pavarur të gjithë dokumenteve të paraqitura. Pas përfundimit të këtij procesi, Avokatit të Popullit mund t’i paraqitet një vlerësim i përditësuar dhe i arsyetuar, si dhe rekomandime për t’ia transmetuar parlamentit në mënyrë konfidenciale.

ONM ka vazhduar përgatitjet për ardhjen e vëzhguesve ndërkombëtarë afatgjatë, që do t’u bashkëngjiten institucioneve të vetingut.

“Nisja e procesit të vetingut do të jetë me rëndësi historike për Shqipërinë. Qytetarët meritojnë një gjyqësor vërtet të pavarur, efikas, të përgjegjshëm dhe plotësisht profesional. Rivlerësimi i gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve është vendimtar për ta arritur këtë objektiv dhe do të nisë pa vonesa të mëtejshme”- thuhet në deklaratën e ONM-së.

ONM-ja po punon për të përfunduar rishikimin e gjithë dosjeve të aplikimeve të konsoliduara rishtas dhe për t’i mundësuar Kuvendit të fillojë me shqyrtimin e kandidatëve.


Facebook Forum

XS
SM
MD
LG