Lidhje

Konfirmohen tetë viktima nga zjarri në traget


Italia thotë se të gjithë pasagjerët janë nxjerrë nga trageti që mori flakë pranë brigjeve të Korfuzit. Incidenti shkaktoi tetë të vdekur. Kryeministri italian Matteo Renzi tha kapiteni i tragetit dhe një numër i vogël pjesëtarësh të ekuipazhit qëndruan në bordin e tragetit, pasi ishin nxjerrë të gjithë pasagjerët, ndërkohë që kanë filluar përpjekjet për ta sjellë mjetin lundrues në port. Zoti Renzi vlerësoi operacionet e shpëtimit që, siç u shpreh ai, parandaluan një kasaphanë në det.

Zyrtarët grekë thanë se 432 pasagjerë dhe pjesëtarë të ekuipazhit u nxorën nga trageti, shumë prej tyre të ngritur nga bordi me helikopterë shpëtimi. Temperaturat e ulëta, erërat e forta dhe dallgët e trazuara i vështirësuan operacionet e shpëtimit.

Pasagjerët e nxjerrë nga trageti rrëfenin skena kaotike pasi shpërtheu zjarri dje, duke e nxjerrë tragetin jashtë kontrollit dhe duke e lënë në mëshirën e dallgëve.

Në tragetin Norman Atlantic ndodheshin edhe 22 shqiptarë, të cilët siç konfirmoi sot ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli janë evakuuar që të gjithë. Në operacionin e ndihmës krahas forcave italiane e greke u angazhua dje per rreth 14 ore, dhe një anije e Rojes bregdetare shqiptare, “Butrinti” e cila sot u zëvendësua nga një tjetër mjet i marinës ushtarake shqiptare.

Trageti po transportonte makina dhe pasagjerë nga porti grek i Patras drejt Ankonas në Itali. Zyrtarët thonë se trageti ishte kontrolluar më 19 dhjetor në Patras, ku ishin vërejtur probleme të vogla, të cilat ishin riparuar.

XS
SM
MD
LG