Lidhje

Trajtimi i Ebolës


Nuk ka ndonjë kurë të njohur deri më sot për Ebolën, por një numër pacientësh kanë marrë gjak dhe plazmë të dhuruar nga një person i mbijetuar nga virusi. Në vazhdim do të flasim në se gjaku i të mbijetuarve me Ebolë ka vlera në komunitetin mjekësor.

Dr. Kevin Brantley i ka mbijetuar Ebolës. Një nga shkaqet e mbijetesës së tij? Transfuzioni i gjakut nga një i ri nga Afrika, i cili mundi t’i mbijetojë sëmundjes.

Transfuzionet e gjakut janë një trajtim eksperimental për Ebolën. Të mbijetuarit mund të kenë nivel të lartë antitrupash në gjakun e tyre, që mund t’i ndihmojnë të luftojnë virusin tek pacientët e prekur rishtazi nga sëmundja.

Dr. Brantley i ka dhuruar gjak, ose plazmë tre pacientëve me Ebolë. Ai nuk ishte i aftë t’i dhuronte gjak liberianit Thomas Duncan, i cili vdiq nga Ebola në një spital të Teksasit, sepse nuk kishin të njëjtin grup gjaku.

Transfuzionet e gjakut kanë ngjashmëri me vaksinat, që janë duke u prodhuar dhe të cilat përdorin antitrupa artificialë, të ngjashme me ato që gjenden në gjakun e të mbijetuarve nga epidemia.

Dr. Jesse Goodman, profesor i mjekësisë dhe i sëmundjeve infektive në Spitalin e Universitetit Georgetown, thotë se komunitetit mjekësor i nevojiten më shumë kërkime lidhur me efektshmërinë e transfuzioneve të gjakut.

“Ne nuk e dimë në se transfuzioni i gjakut nga një person i shëruar nga sëmundja ndihmon. Fakti që gjendja shëndetësore e disa individëve, të cilët marrin gjak përmirësohet, nuk do të thotë medoemos se ata u shëruan nga transfuzioni i gjakut.”

Dr. Goodman thotë se transfuzionet mund të jenë vetëm një element në trajtimin e të mbijetuarve të Ebolës. Vëmendja e menjëhershme mjekësore dhe gjendja e përgjithshme shëndetësore e pacientit, janë gjithashtu faktorë të rimëkëmbjes nga virusi.

Trajtimi me transfusion gjaku do të duhet të kalojë nëpër analiza rigoroze, për të përcaktuar suksesin e tij.

Por edhe në se gjaku i Dr. Brantley-t rezulton të jetë pjesë e trajtimit, profesori i Universitetit Georgetown Lawrence Gostin, thotë se gjaku i tij dhe ai i të gjithë të mbijetuarve me Ebolë, i përket të gjithëve.

“Ne jemi të gjithë pjesë e racës njerëzore dhe si të tillë, do të thotë se nuk mund të jemi egoistë. Pra, duhet të mendojmë për komunitetin tonë. Në këtë çështje nuk duhet të flitet për pronësi, nuk duhet të ketë përfitime financiare dhe as hezitime. Është etike dhe e nevojshme që gjaku të përdoret njëlloj, për të gjithë të sëmurët.”

Kjo është një çështje, e cila është e sigurtë se do të rishfaqet në rrugën e gjatë të zbulimit të trajtimeve të efektshme për Ebolën.

XS
SM
MD
LG