Lidhje

Teknika të reja transplantimi


Teknika të reja mundësojnë transplantimin e të dy krahëve
Teknika të reja mundësojnë transplantimin e të dy krahëve
Brendan Marrocco humbi të katër gjymtyrët nga shpërthimi i një bombe në Irak në vitin 2009, kur ai shërbente në ushtrinë amerikane. Por këtë javë, ai doli nga një spital i Baltimorës me krahë të transplantuar. Operacioni i suksesshëm 13 orë i gjatë tregon se sa përparim ka bërë shkenca e transplantimeve. Steve Baragona i Zërit të Amerikës sjell më shumë hollësi rreth këtij përparimi.

Brendan Marrocco hyri në një konferencë shtypi në spitalin e Universitetit Johns Hopkins duke drejtuar vetë karrigen e invalidit me njërën prej krahëve të transplantuar. Brendan tha se u habit kur lëvizi për herë të parë kyçin e ri të dorës.

“Po kaloja kohë me shokët e mi dhe aksidentalisht lëviza kyçin e dorës. Njëri prej shokëve reagoi me frikë, duke më pyetur: ‘A e lëvize kyçin vetë’? As që e kuptova se kisha bërë këtë lëvizje. U mbusha plot shpresa”.

Shpresat janë të mëdha edhe për kirurgjinë e transplantimeve. Ky ishte operacioni i gjashtë për transplantim krahësh nga ekipi i mjekëve në spitalin Johns Hopkins, ku bën pjesë edhe kirurgu Gerald Brendaher.

“Arsyeja që ne po bëjmë gjithnjë e më shumë procedura të tilla ka të bëjë kryesisht me përparimin e ilaçeve që bllokojnë kundërveprimin e sistemit imunitar”.

Kirurgu Brandaher thotë se kundërveprimi i sistemit imunitar duhet të bllokohet, në mënyrë që të bëhet transplantimi, për të parandaluar reagimin negative të organizmit ndaj pjesëve të reja, të huaja, që transplantohen. Por ilaçet që përdoren për këtë qëllim kanë efekte dytësore serioze.

“Ato shtojnë rrezikun e infeksionit, mund të shkaktojnë diabet, tension të lartë ose edhe kancer”.

Kirurgu Brandaher dhe mjekë e tjerë përdorin një teknikë që ul ndjeshëm nevojën për ilaçe të tilla. Ai ndihmoi në zhvillimin e ilaçit në Qendrën Mjeksore të Universitetit të Pitsburgut, ku Vixhej Gorantla është drejtor i programit të transplantimeve.

Zoti Gorantla thotë se procedura kërkon heqjen e një pjese të palcës kurrizore nga dhuruesi, për të marrë prej saj qelizat e sistemit imunitar. Pas dy javësh, mjekët i vendosin qelizat e dhuruesit në palcën kurrizore të pacientit. Kjo bën që organizmi i transplatuesit t’i pranojë qelizat e huaja imunitare duke i quajtuar si të vetat dhe të mos i luftojë ato. Kjo procedurë ul ndjeshëm nevojën për ilaçe kundër reagimit negativ të organizmit ndaj pjesës që translantohet.

Zoti Gorantla thotë se kjo procedurë ka ndryshuar qëndrimin etik për një operacion të tillë. Rreziqet e efekteve anësore të ilaçeve janë të pranueshme në operacionet e transplantimit të zemrës, mushkërive apo mëlçisë, sepse në mungesë të këtij operacioni, alternativa është vdekja, ndërsa transplantimet e krahut ose të dorës përmirësojnë jetën e pacientit, thotë zoti Gorantla …

“Ato nuk janë alternativë për shpëtimin e jetës. Askush nuk vdes për shkak të mungesës së transplantimit të dorës ose krahut”.

Ai thotë se procedura e re ka ulur rrezikun në atë pikë sa që përfitimet e operacionit janë më të mëdha se sa rreziqet e ilaçeve të nevojshme.
Suksesi i duarve të transplantuara varet nga pjesa e krahut të transplantuar. Njëri prej krahëve të transplantuar të Brendan Marroccos fillon mbi bryl. Kjo është një distance e gjatë, që i duhet sistemit nervor të përshkruajë për të rikthyer funksionet e krahut. Mjekët thonë se shërimi nuk do të jetë kurrë 100 për qind, edhe pas shumë vitesh terapie fizike intensive. Megjithatë kirurgu i spitalit Johns Hopkins, Gerald Brandaher është optimist:

“Ne e konsiderojmë Brendanin si një kandidat të përsosur. Ai është shumë i vendosur dhe përpiqet me të gjitha mundësitë që të përfitojë në maksimum nga terapia fizike e duarve në mënyrë që ato të rifitojnë funksionet e tyre”.

Kirurgu Brandacher thotë se teknikat që ekipi i tij përdori për të ndihmuar Brendan Marroccos po ndihmojnë që transplantimet e tjera të jenë më të sigurta. Më shumë spitale në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, si edhe në Meksikë, Turqi dhe në Kinë, po shtojnë mundësitë që pacientët të rifitojnë gjymtyrët që ata mendonin se i kishin humbur përgjithmonë.
XS
SM
MD
LG