Lidhje

OKB: Diskutim mbi traktatin e tregtisë globale të armëve


Delegatë nga më shumë se 150 vende do të mblidhen në Kombet e Bashkuara në New York nga 2 deri më 27 korrik për të hartuar një traktat mbi tregtinë globale të armëve. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, André de Nesnera sjell më shumë hollësi rreth këtij sesioni një mujor.

Projekt-traktati ligjërisht i detyrueshëm do të caktonte standarte ndërkombëtare për të rregulluar importin, eksportin dhe transferimin e armëve konvencionale, nga aeroplan-mbajtëset tek armët automatike dhe armët e vogla. Eksportues kryesorë të armëve, si Shtetet e Bashkuara, dhe importues kryesorë, si për shembull India, do të marrin pjesë.
Daryl Kimball drejton Shoqatën e Kontrollit të Armëve, një firmë private kërkimore.

“Sot ekzistojnë më shumë rregulla për artikuj bujqësorë si bananet se sa për shitjen e armëve konvencionale, të cilat vrasin njerëz çdo ditë në pjesë të ndryshme të botës”.

Përveç armëve konvencionale, ekspertë si Scott Stedjan, këshilltar i lartë i politikave në grupin Oxfam America, thonë se traktati duhet të përfshijë edhe municionet.

“Çdo vit në gjithë botën prodhohen rreth 12 miliardë plumba dhe vlera e kësaj tregtie i kalon 4 miliardë dollarët”.

Zoti Stedjan thotë se është shumë e rëndësishme që të ekzistojë një traktat ndërkombëtar për regullimin e tregtisë së armëve dhe municioneve.

“Sistemi i tanishëm ndërkombëtar i eksport-importit të armëve nuk është uniform; disa qeveri kanë kontrolle të shumta mbi tregtinë e armëve dhe ka disa qeveri që nuk kanë fare kontrolle të tilla. Më pak se 50 për qind e qeverive në gjithë botën kanë kontrolle bazë mbi eksportet e armëve të vogla dhe vetëm gjysma e qeverive kanë një farë kontrolli mbi tregëtarët e armëve brënda kufijve të tyre”.

Analistët thonë se traktati duhet të përfshijë një sërë rregullash liçensimi të eksporteve, që do të kuptoheshin nga të gjihta vendet dhe do të zbatoheshin prej tyre.
Daryl Kimball i Shoqatës për Kontrollin e Armëve thotë se traktati i Kombeve të Bashkuara duhet të trajtojë edhe një çështje tjetër.

“Cilat janë kriteret e përfshira në traktat, të cilat duhet të shqyrtohen nga shtetet para se të miratojnë një transferim armësh. Ekziston një mbështetje e gjerë për kritere që u kërkojnë shteteve të shqyrtojnë ndikimin e këtij transferimi tek ligji humanitar, ligji i të drejtave të njeriut si dhe për t’u siguruar se transferimi i armëve nuk shkel në asnjë mënyrë ndonjë embargo ndërkombëtare armësh”.

Ekspertët janë të një mendimi se shumë delegatë do të kenë parasysh në Siri, ndërsa diskutojnë mbi një traktat global të tregtisë së armëve. Rusia, e cila shet një sasi të madhe armësh në botë si dhe furnizuesja kryesore e Sirisë me armë, do të dërgojë një delegacion në konferencë. Zoti Kimball thotë se Moska vazhdon të zbatojë kontratat e shitjes së armëve, që nënshkroi me Damaskun para fillimit të konfliktit.

“Asnjë traktat, edhe ai më i përsosuri, nuk do të mund ta parandalojë Rusinë që t’i shesë armë një qeverie si regjimi Assad, por do ta bënte shumë më të vështirë për Rusinë që të veprojë fshehurazi, madje do ta bënte edhe më të vështirë për Moskën që të justifikonte veprimet e saj, nëse nënshkruan një traktat, që synon të detyrojë qeveritë të kenë parasysh të drejtat e njeriut kur autorizojnë transferim armësh”.

Kohët e fundit, ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Susan Rice tha se ndërsa shitjet e armëve nga ana e Rusisë Sirisë janë “të dënueshme”, ato janë të ligjshme. Dhe zyrtarë ruse, mes tyre edhe ministry i Jashtëm Sergei Lavrov, kanë thënë vazhdimisht se armët e shitura Sirisë nuk kontribuojnë tek konflikti i armatosur në atë vend. Por shumë analistë ushtarakë perëndimorë thonë se armët që Rusia eksporton në Siri mund të përdoren kundër civilëve.
XS
SM
MD
LG