Lidhje

Hetime mbi shkaqet e aksidentit hekurudhor


Agjencia për Sigurinë e Transportit po heton lidhur me aksidentin e djeshëm të një treni të kompanisë Amtrak që u përplas me një kamion. Në tren po udhëtonin një numër ligjvenësish republikanë për të shkuar në një pikë pushimi ku sot do të takohen me presidentin Trumë. Nga aksidenti humbi jetën një njeri dhe disa të tjerë u plagosën.

Njoftimet e shtypit venë në dukje se personi që humbi jetën, ishte pasagjer i kamionit që u aksidentua të mërkurën në rajonin jugperëndimor të shtetit Virxhinia. Amtrak thotë se askush në tren nuk pësoi lëndime serioze, megjithëse ligjvënësi Jason Lewis dhe disa të tjerë u dërguan në spital me dëmtime të lehta.

Earl Weener, me Agjencinë e Sigurisë së Transportit, tha se nuk priten konkluzione të menjëhershme mbi aksidentin.

“Ne nuk do të përcaktojmë shkakun e mundshëm të aksidentit ndërsa jemi ende në vendngjarje. Nuk do të spekulojmë mbi shkakun para se të përfundojmë hetimet.”

Ai tha se hetuesit do të studiojnë disa aspekte të aksidentit përfshi drejtuesit e trenit dhe kamionit, kushtetet e trenit dhe kamionit dhe efikasitetin e mekanizmit paralajmërues në kryqëzim.

Ligjvënësit thanë se koha e paralajmërimit ishte e shkurtër para se treni goditi kamionin në kryqëzim.

“Treni ndaloi papritur. Dëgjuam një zhurmë të madhe dhe u ndërpre energjia elektrike. Vinte një erë sikur digjej diçka elektrike. Diçka e tmerrshme kishte ndodhur”, tregon ligjvënësi republikan nga Teksasi Michael Burgees.

Në kohën e aksidentit, në tren udhëtonin ligjvënës republikanë dhe familjet e tyre për një takim vjetor në një vendpushim në shtetin e Virgjinias Perëndimore. Presidenti Donald Trump pritet të mbajë një fjalim sot (të enjten) në takimin vjetor të republikanëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG