Lidhje

Bisedime të reja mes trojkës dhe Greqisë


Zyrtarët e trojkës zhvilluan bisedime me ministrin grek të punës, ndërkohë që negociatat mes inspektorëve dhe qeverisë greke vazhduan edhe për një ditë tjetër në përpjekje për të rënë dakord mbi shkurtimin e shpenzimeve që duhet të ndërmarrë urgjentisht Athina për të mundësuar marrjen e ndihmës financiare. Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë refuzuar dhënien e këstit tjetër të ndihmës, nga frika se mos disa nga shkurtimet e propozuara nga qeveria greke nuk do të zbatoheshin.

Greqia dhe huadhënësit e saj ndërkombëtarë zhvilluan sot një raund të ri bisedimesh lidhur me masat e rrepta ekonomike të kërkuara nga kreditorët për t’u zbatuar nga qeveria e Athinës para se ata të bien dakord për dhënien e ndihmave të reja për Greqinë.

Një negociator nga qeveria greke tha se huadhënësit po shtronin pyetje lidhur me efikasitetin e planit të qeverisë prej 17 miliardë dollarësh.
“Diskutuam gjerësisht mbi rrogën minimale, çëshjen e inspektimit dhe vlerësimit të punës nga qeveria si dhe çështjen e pakësimit të kostos së punës për të cilën ka shqetësime qeveria. U shtrua çështja e reduktimit të kompensimit për të pushuarit nga puna, ku qëndrimi ynë dihet, nuk është koha e duhur për të hapur këtë çështje.”

Athina ka nevojë për miratimin e shkurtimeve të fundit buxhetore për të përfituar një këst tjetër nga paketa e ndihmës financiare për të cilën ka nevojë për të menjanuar falimentimin si rezultat i detyrimeve të saj financiare. Dështimi për të arritur një marrëveshje deri të hënën do të shënojë një tjetër hap prapa lidhur me përpjekjet e Athinës për të siguruar këstin tjetër për ndihmës financiare, pa të cilin vendi i rrënuar nga borxhet përballet me falimentimin dhe përspektivën e daljes nga eurozona.

Greqia ndodhet në vitin e gjashtë rrjesht të rënies financiare. Por masat e rrepta ekonomike të ndërmarra nga qeveria me synim zgjidhjen e krizës së borxheve kanë nxitur protesta në mbarë vendin. Sot, dhjetëra punonjës me aftësi të kufizuara dhe studentë bllokuan hyrjen kryesore të ndërtesës ku po zhvillohen negociatat.

Studentja e muzikës Olga Yanacopoulo, tha se po protestonte mbi mungesën e profesorëve.

“Por kërkojmë transportin për në shkollë dhe mësues sepse kemi shumë mungesa.”
XS
SM
MD
LG