Lidhje

Vizita e Presidentit Trump në Azi dhe kërcënimi koreanoverior


Shumica e amerikanëve tani e shohin Korenë e Veriut si kërcënimin më të menjëhershëm ndaj Shteteve të Bashkuara. Presidenti Donald Trump do të vizitojë rivalin e Phenianit, Korenë e Jugut, në udhëtimin e tij në Azi. Tema kryesore e bisedimeve me udhëheqësit aziatikë do të jetë programi bërthamor i Phenianit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Steve Herman, i cili do ta shoqërojë presidentin gjatë gjithë udhëtimit në Azi, sjell hollësitë.

Anëtarët e kabinetit të Presidentit Trump i kanë paraprirë vizitës së tij në Azi, duke ndihmuar në përgatitjen e terrenit për diskutime të nivelit të lartë lidhur me hapat që duhet të ndërmerren lidhur me Korenë e Veriut.

"Qëllimi ynë nuk është lufta, por çmilitarizimi bërthamor i plotë, i verifikueshëm dhe i pakthyeshëm i gadishullit Korean", - tha Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis.

Ka një rritje të shqetësimit në të dy anët e Paqësorit për hapat që nevojiten për të arritur këtë synim.

"Mendoj se do të arrijmë në një pikë, që do ta krahasoja me krizën e raketave në Kubë, në të cilën do të kemi një periudhë të kufizuar kohore për të marrë një vendim, qoftë politik apo ushtarak, që do të ndryshonte situatën politike në gadishullin Korean", thotë Jae Ku, drejtor i Institutit SHBA-Koreja.

Deri tani, Presidenti amerikan dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, kanë shkëmbyer retorikë të paprecedentë dhe shumë të ashpër.

"Shkëmbimi i fyerjeve e ul legjitimitetin e Shteteve të Bashkuara dhe të presidentit amerikan. Për mua është shqetësuese që të shohë një president amerikan të përfshihet në të njëjtin nivel fyerjesh dhe kërcënimesh që kemi parë nga Koreja e Veriut për shumë vite", thotë Thomas Countryman, ish zyrtar i Departamentit të Shtetit për kontrollin e armëve.

Disa në Korenë e Jugut, duke përfshirë partinë konservatore të opozitës, po bëjnë thirrje jo vetëm për rivendosjen e armëve taktike bërthamore amerikane në vend, por edhe për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për të lejuar Seulin që të ketë armët e veta bërthamore.

"Nëse dy vendet do të shtonin përpjekjet për ridislokimin e armëve bërthamore taktike, jam i sigurt se kjo jo vetëm që do t’i tregonte popujve të dyja vendeve solidaritetin ndaj aleancës, por gjithashtu do të parandalonte provokimet e mëtejshme të Kim Jong Un-it", thotë Hong Joon Pyo, kryetar i Partisë Liria e Koresë.

"E ndjen ankthin, frikën, dhe e kupton se ky është një kërcënim i ndryshëm me të cilën përballen koreanët. Ata e kanë mbështetur idenë se armët bërthamore taktike mund të ofrojnë siguri megjithëse nuk i kanë menduar të gjitha problemet që e pasojnë këtë veprim", thotë Jae Ku, Drejtor i Institutit SHBA-Koreja.

Presidenti Trump do të shkojë në Pekin nga Koreja e Jugut. Ai do të diskutojë me presidentin kinez Xi Jinping tensionet në rritje në gadishullin Korean. Kina është aleati i vetëm i mbetur i Koresë së Veriut. Ajo ka shprehur zhgënjimin me fqinjin e saj më të vogël, por gjithnjë e më provokues. Presidenti Trump pritet t’i kërkojë Kinës që të ushtrojë më shumë presion ndaj Kim Jong Un-it.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG