Lidhje

Trump sulmon ashpër ish-strategun e tij, Bannon


Presidenti Donald Trump sulmoi ashpër ish-strategun e tij kryesor Steve Bannon.

Kritikat bëhen në prag të botimit të një libri të ri me autor Michael Wolff, i cili sjell një numër surprizash që lidhen me Presidentin dhe e përshkruan Shtëpinë e Bardhë në fillimet e saj si kaotike.

Në një fragment të librit, botuar nga gazeta Guardian, thuhet se zoti Bannon përshkruan një takim në Kullën Trump mes djalit të presidentit, Donald Jr, dhe një grupi rusësh. Bannon e quan këtë akt si “tradhtar” dhe ''jopatriotik''.

Në një deklaratë që bëri të mërkurën, Presidenti Trump shprehet se kur Bannon u shkarkua nga detyra në Shtëpinë e Bardhë, “ai humbi jo vetëm punën por edhe mendjen.” Steve Bannon, tha ai, “nuk ka të bëjë fare me mua dhe me presidencën.”

Presidenti Trump tha se Bannon u bë anëtar i stafit pasi ai (Trump) kishte fituar emërimin e partisë republikane, duke mposhtur 17 kandidatë. "Steve nuk përfaqëson bazën time, ai thjesht hyri aty për interesin e tij," tha Presidenti Trump.

Në një përshkrim të librit të titulluar “Zjarr dhe furi: Brenda Shtëpisë së Bardhë të Presidentit Trump", botuar në revistën “New Yorker”, thuhet se zoti Trump besonte se marrja e emërimit si kandidat presidencial do t'i rriste emrin dhe do t’i ofronte "mundësi të papara".

Libri zbulon gjithashtu se zoti Trump nuk kishte shpresuar kurrë ta fitonte garën presidenciale të vitit 2016.

Sipas pjesëve të cituara nga libri, Trump Jr i kishte thënë një miku se i ati i tij dukej sikur i kishte dalë përpara fantazma kur u bë e qartë se mund të fitonte. Për zonjën e parë Melania, ai qe shprehur se ajo "kishte në sy lot dhe jo gëzim" nga fitorja.

Libri bazohet në mbi 200 intervista, duke përfshirë biseda me Presidentin dhe me stafin e tij kryesor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG