Lidhje

Trump, takime për formimin e qeverisë


Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump thotë se së shpejti do të bëjë emërime të reja për qeverinë e tij dhe po premton se ata do të jenë “njerëz shumë të aftë.”

Të hënën ai po takohet me dy kandidatura të mundshme për kabinetin e tij, ish guvernatorin e Teksasit Rick Perry, njëri prej republikanëve të cilin Trump e mundi në garën për të siguruar emërimin e Partisë dhe me guvernatoren e Oklahomës, Mary Fallin.

Zoti Perry është një kandidaturë e mundshme për postin e Sekretarit të Energjisë, ose atë të Mbrojtjes, ndërsa zonja Fallin për Sekretare e Brendshme, një ministri që mbikqyr parqet dhe pyjet e vendit. Zoti Trump, po ashtu është duke u takuar me aleatin e tij politik prej shumë vitesh, ish Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Newt Gingrich.

Zoti Trump u takua dje në qendrën e tij luksoze të golfit në Bedminster të Nju Xhersit, me dy nga mbrojtësit e tij më të palëkundur gjatë fushatës së zgjatur presidenciale, me ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut, Rudy Giuliani, dhe guvernatorin e Nju Xhersit, Chris Christie.

Zoti Giuliani është simbol i qëndrueshmërisë amerikane kundër terrorizmit islamik pas sulmeve terroriste të vitit 2001 në Nju Jork dhe në Uashington. Megjithëse ka pak eksperiencë në marrëdhëniet ndërkombëtare, ai ka kërkuar emërimin si Sekretar Shteti, që është posti më i lartë diplomatik i vendit.

Zëvendëspresidenti i zgjedhur, Mike Pence, i tha kanalit Fox News se Mitt Romney, ish-kandidat republikan për president në vitin 2012, u takua të shtunën me zotin Trump dhe se është duke u marrë në konsideratë për postin e Sekretarit të Shteti, së bashku me personalitete të tjera të shquara amerikane.

XS
SM
MD
LG