Lidhje

Trump, Kamboxhia dhe liria e shtypit


Lufta e Presidenti amerikan Donald Trump me median është shkallëzuar javët e fundit. Tani kjo çështje po fillon të përhapet edhe në vende si Kamboxhia, duke patur një ndikim të thellë tek liria e shtypit:

Është hera e parë që një qeveri e huaj e përdor në mënyrë të qartë Presidentin Trump si shembull për të justifikuar masat shtypëse ndaj medias.

Në një postim në Facebook, një zëdhënës i qeverisë kamboxhiane kërcënoi se “do të marrë masa kundër mediave, përfshirë Zërin e Amerikës, nëse ata nuk e ndryshojnë mënyrën e raportimit. Trump shërben si model për media të tilla të pabindura,” – vazhdon më tej zyrtari kamboxhian

Këto lloj kërcënimesh nuk janë diçka e re në Kamboxhian e sunduar për tre dekada nga kryeministri Hun Sen. Risia në këtë rast, është se po shfrytëzohet si pretekst sjellja e presidentit amerikan.

Kjo nuk është diçka për t’u çuditur, thotë Tom Malinowski, i cili sapo është larguar nga posti i Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Demokracinë, të Drejtat e Njeriut dhe Punën.

“Sa herë që Shtetet e Bashkuara u largohen parimeve të tyre, kjo në çdo rast shfrytëzohet nga shtetet autoritare në mbarë botën, për të justifikuar sjelljen e tyre.”

Tom Malinowski, i cili foli me Zërin e Amerikës përmes Skajpit, shqetësohet se mënyra se si presidenti Trump i trajton mediat, do të vazhdojë t’u japë guxim udhëheqësve autoritarë.

“Kjo u jep diktatorëve në mbarë botën një justifikim të përshtatshëm, që të bëjnë atë që duan, duke marrë masa shtypëse ndaj gazetarëve të tyre,” – thotë zoti Malinowski.

Që nga koha kur filloi nga detyra, presidenti Trump e ka shkallëzuar vazhdimisht një luftë fjalësh kundër shtypit, duke i cilësuar mediat “të pandershme”, “që japin lajme të rreme” dhe madje edhe “armik të popullit.”

Kjo është diçka shqetësuese për Steven Butler të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, i cili foli gjithashtu përmes Skajpit.

“Shtetet e Bashkuara kanë projektuar gjithmonë një lloj autoriteti moral, edhe pse qëndrimi ynë ndaj lirinë e shtypit është larg të qënit i përkryer. Por njerëzit vazhdojnë t’i drejtojnë sytë nga Shtetet e Bashkuara për të siguruar këtë lloj roli udhëheqës. Por kjo ka gjasa të mos ndodhë më.”

Trump e mbron qëndrimin e tij, duke thënë se ai është kundër vetëm disa prej mediave.

“Unë jam vetëm kundër lajmeve të rreme apo mediave që i publikojnë ato. Jam kundër atyre që trillojnë, duke krijuar raporte dhe burime të rreme.”

Kryestrategu për politikat i presidentit Trump, Steve Bannon, i ka etiketuar mediat si “partia e opozitë.:

“Ato janë në shërbim të korporatave, janë media globaliste, që kundërshtojnë me ngulm programin ekonomik nacionalist të Donald Trumpit.”

Përsa i përket kundrështimit të Kamboxhias ndaj Zërit të Amerikës dhe të tjerëve, një zëdhënës i kësaj agjencia mediash tha se Zëri i Amerikës do të vazhdojë të japë lajme në mënyrë objektive, të drejtë dhe të balancuar.”

XS
SM
MD
LG