Lidhje

Trump, Clinton, rreth skandalit të emaileve


Kandidati republikan për president Donald Trump dhe rivalja e tij demokrate Hillary Clinton priten të bëjnë të ditura planet e tyre ekonomike gjatë takimeve elektorale këtë javë në Detroit. Gjatë ditëve të fundit, Doland Trump e ka kritikuar Hillary Clintonin vazhdimisht, në lidhje me përdorimin e saj të një serveri privat të emailit, gjatë kohës që ishte Sekretare e Shtetit.

Trump thotë se populli amerikan nuk do një president që, siç u shpreh ai “i bie siguresa”, pra që ka probleme, duke shtuar se militantët e Shtetit Islamik mezi presin që të zgjidhet Hillary Clinton.

"Ajo përdori termin me qark të shkurtër. Por ajo ka një qark të shkurtër në tru dhe ka probleme,” tha kandidati republikan për Hillary Clinton-in. Zonja Clinton ka thënë se ajo e ka pranuar se përdorimi i dy adresave të emailit ishte gabim:

“Mund t’i jem shmangur rregullave...por drejtori i FBI-së, tha se nuk kisha absolutisht asnjë qëllim, që të injoroja rëndësinë e dokumenteve, sepse ato nuk ishin të shënuara si sekrete”.

Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut dhe prokurori federal Rudy Guilani tha se ai do ta kishte ndjekur penalisht zonjën Klinton.

“Pra, para së gjithash, ajo gënjeu. Nuk kemi të bëjmë thjesht me shmagie të rregullave. Ajo gënjeu javën e kaluar, kur tha se FBI-ja zbuloi se ajo nuk kishte gënjyer”.

Clinton dhe zyrtarë të tjerë kanë thënë se dokumentet sekrete nuk kanë qenë gjithmonë qartësisht të identifikuara si të tilla.

“Kur ajo thotë se informacioni nuk ishte sekret, do të thotë që ai nuk ishte i shënuar si i tillë.” thotë Michael Morell, ish-drejtori i përkohshëm i CIA-s.

Një sondazh i kohëve të fundit i rrjetit televiziv ABC News dhe gazetës Washington Post tregon se Hillary Clinton ka një avantazh prej tetë përqindësh ndaj kandidatit Trump.

XS
SM
MD
LG