Lidhje

Presidenti Trump, Zonja e Parë diagnostikohen me koronavirus


Klivland, Ohajo; 29 shtator 2020
Klivland, Ohajo; 29 shtator 2020

Të premten, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti Donald Trump po kalon simptoma të lehta të COVID-19, pas njoftimit se ai dhe gruaja e tij Melania ishin testuar pozitivë me koronavirus.

Presidenti e bëri njoftimin në Twitter të premten herët dhe tha se të dy do të fillojnë karantinën. Presidenti Trump është 74 vjeç, dhe kjo e vë në rrezik më të lartë për komplikime serioze.

Lajmi vjen vetëm një muaj para zgjedhjeve ku ai përballet me ish nënpresidentin Joe Biden, i cili kryeson në anketat kombëtare.

Shefi i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows tha se Presidenti Donald Trump ka simptoma të lehta pas testimit pozitiv për COVID-19 por pritet që ai të vazhdojë punën. Zoti Meadows shprehu optimizëm se presidenti do të shërohet shpejt.

Presidenti Trump rezulton pozitiv me COVID-19
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:34 0:00

Dy persona që kishin dijeni për gjendjen e tij thanë se simptomat ishin të ngjashme me të ftohurin.

Fushata e Presidentit Trump tha të premten se të gjitha aktivitetet e fushatës të njoftuara më parë ku përfshihet presidenti, do të zhvendosen në mjedise virtuale ose do të shtyhen përkohësisht.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se tubimet e presidentit do të ndërpriten për të paktën 10 ditë.

Fushata tha gjithashtu në një deklaratë se shtyhen përkohësisht edhe aktivitetet e njoftuara me pjesëmarrjen e anëtarëve të familjes Trump. Ndërkohë, Nënpresidenti Mike Pence, i cili ka testuar negativ për koronavirusin, planifikon të rifillojë programin e tij të aktiviteteve të fushtës, thuhet në deklaratë.

Presidenti shkroi të premten në rrjetin Twitter se “zonja e parë dhe unë dolëm pozitivë në testin për COVID-19. Do të fillojmë karantinën dhe procesin e shërimit menjëherë. Do ta kalojmë sa bashku këtë".

Pak më vonë Shtëpia e Bardhë lëshoi një memorandum nga mjeku i presidentit 74-vjeçar, Dr. Sean Conley, duke konfirmuar testet pozitive për çiftin Trump.

"Presidenti dhe Zonja e Parë janë mirë aktualisht dhe ata planifikojnë të qëndrojnë në shtëpi brenda Shtëpisë së Bardhë gjatë procesit të kurimit", tha zoti Conley.

Ai shtoi se ai pret që presidenti "të vazhdojë të kryejë detyrat e tij pa ndërprerje ndërsa shërohet, dhe unë do t'ju mbaj të informuar për çdo zhvillim të ardhshëm".

Zonja Melania Trump shkroi në twitter se "siç kanë bërë shumë amerikanë këtë vit, presidenti dhe unë jemi në karantinë në shtëpi pasi dolëm pozitiv për COVID-19. Po ndihemi mirë dhe unë i kam shtyrë të gjitha angazhimet e ardhshme. Ju lutemi sigurohuni që po qëndroni të mbrojtur dhe të gjithë do ta kalojmë së bashku".

Ndërkaq, kandidati demokrat për president Joe Biden dhe gruaja e tij u testuan sot negativë për koronavirusin, ndërsa kandidatja për nënpresidente Kamala Harris u testua negative dje.

Presidenti Trump, i cili për muaj me radhë kishte minimizuar seriozitetin e koronavirusit, të enjten në mbrëmje konfirmoi gjatë një interviste telefonike në Fox News se ai dhe zonja e parë ishin testuar pasi një nga ndihmëset e tij, Hope Hicks, u konfirmua të ishte e infektuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG