Lidhje

Shtypi: Mueller urdhëron “Deutsche Bank” të dorëzojë të dhënat për Donald Trump-in


Prokurori i Posaçëm Robert Mueller, i cili po heton ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar, po shqyrton edhe çështjet financiare të Presidentit Donald Trump. Sipas mediave, bëhet fjala për shqyrtimin e të dhënave që kapin qindra milionë dollarë në formë kredie që “Deutsche Bank” i ka dhënë perandorisë së patundshmërive të zotit Trump.

Sipas agjensisë Reuters dhe Bloomberg News, zoti Mueller i kërkoi të dhënat disa javë më parë. Banka tha se iu përmbajt kërkesës, por nuk ofroi detaje rreth transaksioneve të saj me udhëheqësin amerikan.

Shqyrtimi i të dhënave financiare nga zoti Mueller duket se hap një shteg të ri në hetimet që ai po kryen mbi lidhjet e njerëzve të fushatës së zotit Trump me Rusinë dhe nëse ai e pengoi drejtësinë duke shkarkuar ish drejtorin e Byrosë Federale të Hetimeve, James Comey. Ky i fundit po hetonte ndërkohë mbi lidhjet me Rusinë përpara se zoti Mueller të emërohej nga një zyrtari i lartë i Departamentit të Drejtësisë për ta zëvendësuar mbi këtë çështje.

Disa muaj më parë zoti Trump tha se ai do ta konsideronte "shkelje" të mandatit të zotit Mueller për hetimet mbi Rusinë, nëse ky hetim do të shtrihej tek financat e familjes Trump, për ndonjë lidhje që mund të kishte aty me Rusinë. Zoti Trump është ankuar shpesh lidhur me hetimet që po kryhen nga Kongresi dhe nga zoti Mueller mbi lidhjet e Moskës me ndihmësit e fushatës së tij, duke i cilësuar si "gjueti shtrigash" dhe një justifikim të demokratëve për humbjen e Hillary Clinton-it në zgjedhjet e 2016-s.

Pasi ish këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, ish gjenerali Michael Flynn, u deklarua fajtor javën e kaluar se kishte gënjyer agjentët e FBI-së që po hetonin bisedat e tij me ambasadorin e Moskës në Uashington, zoti Trump tha se ndjente "keqardhje" për të. Tashmë zoti Flynn po bashkëpunon me zotin Mueller.

Sipas disa të dhënave që zoti Trump ka ofruar për agjencitë amerikane të qeverisjes vendore, “Deutsche Bank” në vitet e fundit i ka dhënë atij një hua prej 106 milionë dollarësh për të blerë resortin e golfit “Doral” në Florida, 170 milionë dollarë për të restauruar ndërtesën e Postës së Vjetër amerikane, jo shumë larg Shtëpisë së Bardhë, ku zoti Trump ka hapur një hotel luksoz, si dhe 640 milionë dollarë për hotelin dhe apartamentet në Çikago.

Para se të kandidonte për president, zoti Trump iu drejtua bankës gjermane për kredi pasi kompanitë financiare amerikane nuk u treguan të gatshme që t’i jepnin atij kredi, për shkak të një vargu problemesh financiare, përfshirë ato me kazinot në Atlantic City të Nju Xhersit.

Ndryshe nga presidentët e mëparshëm amerikanë zoti Trump nuk ka pranuar të bëjë publike deklaratat e tij tatimore, që do të tregonin të ardhurat e tij nga viti në vit. Zoti Trump, është presidenti më i pasur që kanë patur ndonjëherë Shtetet e Bashkuara, ndonëse disa analistë kanë vënë në pikëpyetje nëse pasuritë e zotit Trump kapin vlerën e 10 miliardë dollarëve sikurse ai pretendon.

Ndërsa ende zotëron një grup kompanish, përpara se të bëhej president në janarin e vitit të kaluar, zoti Trump ia kaloi menaxhimin e Organizatës Trump djemve të tij të mëdhenj, Donald Trump Jr-it dhe Eric Trump-it i cili ka punuar për një kohë të gjatë në të, në pozitë drejtues.

Ligjvënësi Adam Schiff, demokrati më i lartë në Komisionin e Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve që po heton ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje, tha se kërkesa ligjore e Mueller-it për të dhënat financiare të zotit Trump ndaj “Deutsche Bank-ut" do të ishte një zhvillim shumë i rëndësishëm. Nëse Rusia ka pastruar para përmes organizatës Trump, do të ishte shumë më kompromentuese se çdo video banale dhe mund të përdorej kundër Donald Trump-it, bashkëpunëtorëve dhe familjes së tij".

Ai vuri në dukje se “Donald Trump Jr.-i ka deklaruar publikisht se Organizata Trump ka marrë fonde të konsiderueshme nga Rusia dhe se ka pasur dyshime të besueshme se shtetas rusë mund të kenë përdorur pronat e tij për të pastruar para".

Zoti Schiff tha gjithashtu se disa muaj më parë demokratët në komisionin e zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve u përpoqën që për të siguruar të dhënat e “Deutsche Bank-ut”, për zotin Trump të kishte urdhër gjykate, por kjo ishte refuzuan nga shumica republikane në komision.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG