Lidhje

Presidenti Trump në samitin e G 7-ës


Emocionet ishin të dukshme kur Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u takua me udhëheqësit e tjerë të G 7-ës gjatë punimeve të samitit të përvitshëm që po zhvillohet këtë radhë në Kanada. Megjithatë diskutimet ishin të civilizuara dhe diplomatike. Presidenti Trump i qëndroi mendimit se Shtetet e Bashkuara janë në disavantazh në tregtinë me vendet aleate evropiane.

Në një takim dypalësh me organizatorin e samitit, Justin Trudeau, Presidenti amerikan bëri shaka duke thënë se kryeministri kanadez kishte rënë dakort “për heqjen e gjithë tarifave”.​

“Justin ra dakort për heqjen e gjithë tarifave dhe barrierave të tregtisë mes Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara, kështu që jam shumë i kënaqur... Po punojmë për këtë gjë. Marrëdhënia jonë është shumë e mirë dhe po punojmë për ulje të tarifave dhe për tregti të drejtë për të dyja vendet. Do shikojmë si do të shkojë, por sot kemi arritur goxha progress”, tha Presidenti Trump.

Në një takim pasues me Presidentin francez, Emmanuel Macron, Presidenti Trump vuri në dukje defiçitin tregtar të SHBA-së me Bashkimin Evropian.

“SHBA-ja ka një defiçit tregtar prej shumë vitesh me BE-në dhe po punojmë për ta zgjidhur. Emmanueli po ndihmon shumë për këtë aspekt. Diçka do të dalë dhe mendoj se do të jetë shumë pozitive. Patëm një tjetër takim shumë pozitiv për NAFTA-n. Po shndërrohet pra në një ditë shumë interesante”, tha Presidenti Trump.

Zoti Macron tha se pati një “diskutim shumë të drejtpërdrejtë dhe të hapur” me Presidentin Trump dhe se “ekziston një rrugëtim i rëndësishëm për të përparuar së bashku”.

Presidenti Trump vendosi tarifa mbështetur tek arsyetimi se industria e dobësuar në vend mund të ndikojë tek siguria kombëtare e Shteteve të Bashkuara.

Aleatët më të afërt të SHBA-së, si Kanadaja, Meksika dhe BE-ja, po kundërpërgjigjen me tarifat e tyre.

Përpara se të nisej për takimin në Kanada, Presidenti Trump u tha gazetarëve se Rusia duhet të ftohet për t’u bërë sërish pjesë e samitit të vendeve më të zhvilluara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG