Lidhje

SHBA hap ambasadën në Jeruzalem, dhjetra palestinezë të vrarë në Gazë


Shtetet e Bashkuara zhvendosën sot zyrtarisht ambasadën e tyre në Izrael nga Tel Avivi në Jeruzalem, ndërkohë që të paktën 52 palestinezë u vranë dhe qindra u plagosën në përleshjet me forcat izraelite përgjatë kufirit të Rripit të Gazës me shtetin hebre.

Ambasada e përkohshme do të funksionojë brenda ndërtesës së konsullatës ekzistuese amerikane në Jerusalem, derisa të gjendet një objekt më i përshtatshëm.

Më pak se 100 kilometra larg protestave të dhunshme, zyrtarët amerikanë dhe izraelitë u mblodhën në Jeruzalem, për të shënuar hapjen e ambasadës.

Presidenti i SHBA Donald Trump u bëri sfidë shumë qeverive në mbarë botën dhjetorin e kaluar dhe vendosi ta lëvizë ambasadën amerikane nga Tel Avivi, ku i kanë përfaqësitë diplomatike shumica e vendeve të botës.

Dhëndri i zotit Trump, Jared Kushner, këshilltar i Shtëpisë së Bardhë dhe pjesë e delegacionit amerikan në ceremoni, tha:

"Ndërsa presidentët para tij nuk e vunë në jetë premtimin e tyre për të lëvizur ambasadën, presidenti i tanishëm e mbajti atë. Sepse kur Presidenti Trump jep një premtim, ai e mban atë".

Me anë të një videomesazhi, Presidenti Trump e quajti lëvizjen e ambasadës diçka që pritej prej një kohe të gjatë. “Jerusalemi është kryeqyteti i Izraelit", tha ai.

Udhëheqësi i SHBA tha se Shtetet e Bashkuara "mbeten të përkushtuara ndaj një marrëveshjeje të qëndrueshme për paqe" ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve.

Më herët, në një koment në Twitter nga Uashingtoni, zoti Trump tha, "Një ditë e madhe për Izraelin!" por nuk e përmendi dhunën.

Ndërkohë, udhëheqësit arabë e dënuan veprimin e SHBA. Kryeministri libanez Saad Hariri e quajti atë "provokativ" ndërsa Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif, tha se kjo ishte "dita e një turpi të madh”.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini, i bëri thirrje Izraelit të respektojë "parimin e ekuilibrit në përdorimin e forcës" dhe "të përmbahet për të shmangur humbjet e mëtejshme të jetëve njerëzore".

Në Gazë, mijëra njerëz protestuan kundër hapjes së ambasadës dhe zyrtarët e shëndetësisë njoftuan për shumë të vrarë dhe të paktën 500 të plagosur, duke përfshirë dhjetra me armë zjarri. Vdekjet e çojnë numrin e palestinezëve të vrarë nga forcat izraelite gjatë gjashtë javëve të protestave në më shumë se 70.

Kritikët kanë fajësuar forcat izraelite për përdorimin e zjarrit, ndërsa Izraeli thotë se veprimet e tij janë të nevojshme për sigurinë pasi njerëzit po kërcënojnë gardhin kufitar.

Forcat izraelite të sigurisë hodhën edhe gaz lotsjellës mbi protestuesit, por turmat dukeshin të palëkundura dhe vazhduan të mblidhen.

Përveç refuzimit të lëvizjes së ambasadës amerikane, palestinezët po protestojnë edhe për të përkujtuar përvjetorin që ata e quajnë "nakba" apo "katastrofa", duke ju referuar qindra mijëra palestinezëve që u dëbuan apo ikën gjatë luftimeve të vitit 1948 kur u krijua shteti i Izraelit.

Ambasada e përkohshme do të funksionojë brenda ndërtesës së konsullatës ekzistuese amerikane në Jerusalem, derisa të gjendet një objekt më i madh.

"Shumë presidentë kishin nënshkruar një dokument për të mos e zhvendosur ambasadën për arsye të sigurisë kombëtare. Presidenti Trump po e lëviz ambasadën, sepse është një përparësi e sigurisë kombëtare që ambasada të jetë këtu në Jeruzalem. Ka edhe një arsye tjetër për lëvizjen e ambasadës. Siç e dinë disa prej jush, presidenti ka qenë një zhvillues pasurish të paluajtshme dhe ai e donte pasurinë e patundshme të ambasadës këtu në Jerusalem në anën e djathtë të qytetit", tha Steven Mnuchin, sekretari amerikan i Thesarit.

Vendosja e ambasadës amerikane në Jeruzalem është miratuar me votim dypartiak në Kongresin amerikan që në vitin 1995. Deri tani, të gjithë presidentët e mëparshëm amerikanë patën nënshkruar çdo gjashtë muaj një shtyrje të zbatimit të këtij vendimi, për arsye sigurie.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG