Lidhje

Trump përsërit mbështetjen ndaj z. Kanavaugh, imiton akuzuesen e tij


Tre senatorë të lëkundur republikanë e kritikuan ashpër presidentin Donald Trump për komentet e tij mesa duket tallëse ndaj një gruaje që pretendon se kandidati për anëtar të Gjykatës së Lartë Brett Kavanaugh e ka sulmuar seksualisht në vitet 1980.

Reagimi ndaj komenteve të Presidentit për akuzuesen Christine Blasey Ford vjen ndërkohë që senatorët po presin rezultatet e një hetimi të ri të FBI-së rreth akuzave për sjellje të pahijshme seksuale nga zoti Kavanaugh kur ishte në shkollë të mesme dhe në kolegj. Përfundimet e hetimit priten së shpejti.

Udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell, ka thënë se votimi për zotin Kavanaugh do të bëhet këtë javë dhe se fati i juristit konservator është në duart e një grupi senatorësh të pavendosur republikanë dhe demokratë.

Gjatë një fjalimi përpara mbështetësve në Misisisipi të martën mbrëma, Presidenti Trump përsëriti mbështetjen ndaj kandidatit Brett Kanavaugh, por imitoi me tone sarkastike komentet e bëra nga akuzuesja e zotit Kanavaugh në seancën dëgjimore në Senat javën e kaluar.

Ku ndodhej shtëpia? Nuk e di! Lart…poshtë… Ku ndodhesha unë?! Nuk e di, por kisha pirë një birrë. Kjo është e vetmja gjë që mbaj mend. Dhe jeta e një njeriu bëhet copë, shkatërrohet. Gruaja e tij është shkatërruar, vajzat, fëmijë të bukur e të jashtëzakonshëm. Ata shkatërrojnë njerëzit," tha Presidenti Trump.

Komentet u bënë ndërsa zoti Trump zhvillonte një takim me mbështetësit e tij në prani të senatores së Misisipit Cindy Hyde-Smith, e cila po përpiqet të ruajë vendin që deri në prill të këtij viti e mbante republikani Thad Cohran, përpara se të tërhiqej nga Senati.

Ajo përballet me tre kandidatë në zgjedhjet e posaçme të muajit të ardhshëm për pjesën e mbetur të mandatit dyvjeçar.

Senatorja Hyde-Smith iu bashkua presidentit për të grumbulluar mbështetje në favor të zotit Kavanaugh.

Do të kthehemi në Uashington, sepse e dimë që kemi një anëtar të Gjykatës së Lartë për të miratuar", tha ajo.

Për shkak të hetimit të FBI-së, konfirmimi i zotit Kavanaugh mund të jetë në rrezik. Imitimi i saj nga zoti Trump e rrezikon edhe më shumë konfirmimin e kandidatit.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Trump thjesht "përmendi faktet" dhe nuk u përpoq të imtojë zonjën Ford.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG