Lidhje

Udhëheqësit e SHBA dhe Koresë së Veriut mbërrijnë në Singapor


Presidenti Donald Trump ndodhet në Singapor për takimin e së martës me udhëheqësin koreano-verior Kim Jong Un.

Pasi zbriti nga avioni presidencial, zoti Trump u prit nga ministri i jashtëm i Singaporit, Vivian Balakrishnan. Para se të mbërrinte në Singapor, Presidenti Trump ka pohuar për takimin se po shkel në “territor të panjohur”.

Në përgjigje të pyetjes së Zërit të Amerikës para se të nisej për në Azi nga Kebeku, presidenti u shpreh me vetëbesim për takimin historik dhe të pashembullt mes një presidenti amerikan dhe një udhëheqësi të vendit të izoluar komunist. Po ashtu, Presidenti Trump u shpreh se beson që Kim Jong Un është i gatshëm të bëjë diçka të vyer për kombin e tij, por paralajmëroi se takimi është një shans i papërsëritshëm nëse bisedimet nuk ecin mirë.

Edhe udhëheqësi koreano-verior ka mbërritur tashmë në Singapor. Ky është udhëtimi më i largët jashtë vendit që ka bërë Kim Jong Un që kur mori pushtetin në 2011.

Media nuk arriti të kapte pamje të mbërritjes së zotit Kim kur po dilte nga limuzina që e solli udhëheqësin koreano-verior nga aeroporti pas mbërritjes sot me një avion kinez. Turistë dhe një mori gazetarësh ishin mbledhur përgjatë rrugës ku kaloi autokolona e shoqëruar me përforcime sigurie.

Më pas Kim Jong Un u shfaq me një buzëqeshje plot vetëbesim kur po shtrëngonte duart me kryeministrin e Singaporit Lee Hsien Loong, në pallatin Istana.

Singapori u zgjodh si një vend neutral për këtë takim shumë delikat dhe të rëndësishëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG