Lidhje

Trump: Kina do të donte të bënte ujdi të re tregtare me SHBA


Presidenti Donald Trump tha të enjten se ai ende beson se Kina "do të donte të bënte" një ujdi të re tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe se tani mund t’i vijë keq që u tërhoq nga disa marrëveshje të arritura nga negociatorët e dy vendeve.

"Ne arritëm marrëveshje por ata e shkelën marrëveshjen," tha zoti Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Trump tha se tarifat që ai ka imponuar me vlerë prej qindra miliardë dollarë ndaj importeve kineze kanë bërë që disa prodhues amerikanë që veprojnë në Kinë ta zhvendosin prodhimin e tyre në vende të tjera.

"Mendoj se po na del shumë mirë me Kinën", tha ai, duke shtuar se tarifat kanë pasur pak efekt mbi inflacionin në SHBA.

Bisedimet tregtare midis zyrtarëve të dy ekonomive më të mëdha në botë u ndërprenë kohët e fundit, por Sekretari i Thesarit i SHBA, Steven Mnuchin ka thënë se ka gjasa të shkojë në Pekin "në të ardhmen e afërt" për të vazhduar negociatat.

Ndërkaq, Kina akuzoi Shtetet e Bashkuara se janë përfshirë në "terrorizëm të hapur ekonomik" duke iu referuar përplasjeve tregtare mes dy vendeve.

Akuzat u bënë të enjten nga zëvendësministri i Jashtëm Zhang Hanhui gjatë një konference për shtyp në Pekin, që lidhej me vizitën zyrtare të presidentit Xi Jinping në Rusi javën që vjen.

Pekini dhe Uashingtoni janë përfshirë në një luftë tregtare që nga korriku i vitit të kaluar kur Presidenti Donald Trump vendosi tarifa për qindra produkte kineze me vlerë miliarda dollarë, duke çuar në një seri kundërpërgjigjesh me tarifa hakmarrëse. Dhjetorin e kaluar presidentët e të dy vendeve ranë dakord të heqin dorë nga lufta tregtare dhe hynë në negociata për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme.

Por kohët e fundit zoti Trump i rriti sërish tarifat ndaj mallrave kineze me mbi 200 miliardë dollarë ndërsa akuzoi Pekinin për mos mbajtje të premtimeve për ndryshime strukturore në praktikat e tij ekonomike.

Zëvendësministri i Jashtëm Zhang Hanhui tha se Kina nuk dëshiron një luftë tregtare, por nuk ka frikë prej saj. Ai i cilësoi veprimet e administratës Trump si "bullizëm ekonomik".

Pekini nga ana tjetër ka njoftuar një rritje të re të tarifave ndaj eksporteve amerikane me vlerë 60 miliardë dollarë, që pritet të hyjnë në fuqi më 1 qershor.

Në një editorial të publikuar të mërkurën në gazetën zyrtare të Partisë Komuniste të Kinës "The People's Daily", paralajmërohej se Pekini mund t'i japë fund eksporteve të mineraleve të rralla në SHBA. Bëhet fjalë për një grup prej 17 elementësh kimikë të përdorur në telefonat inteligjentë, teknologjinë e lartë e deri tek pajisjet ushtarake.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG