Lidhje

Trump: ligjvënësja demokrate Omar duhet të dorëhiqet


Presidenti Donald Trump tha të martën se ndjesa që kërkoi ligjvënësja e re Ilman Omar për komentet e saj se anëtarët e Kongresit mbështesin Izraelin pasi paguhen për ta bërë këtë, është "e çalë" dhe se ajo duhet të japë dorëheqjen.

Në komentet e bëra në Twitter gjatë fundjavës, ligjvënësja demokrate e Minesotës, njëra nga dy gratë e para myslimane që zgjidhen në Dhomën e Përfaqësuesve, kritikoi Komitetin Amerikano-Izraelit për Çështjet Publike (AIPAC), duke thënë se “gjithçka lidhet me Benjaminin”, një aludim për kartmonedhën 100 dollarëshe që ka portretin e Benjamin Franklinit.

E pyetur në Twitter se kush mendonte se i paguante anëtarët e Kongresit për të mbështetur Izraelin, zonja Omar u përgjigj: "AIPAC!"

Në një takim të kabinetit të martën, Presidenti Trump u tha gazetarëve se “antisemitizmi nuk ka vend në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.''

Presidenti u shpreh se ajo që tha zonja Omar është "e tmerrshme". “Unë mendoj se ajo duhet të japë dorëheqjen nga Kongresi ose nga Komisioni i Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve. Ajo që tha zonja Omar është e ngulitur thellë në zemrën e saj.''

Presidenti tha se ndjesa që ajo kërkoi është "e çalë dhe ajo nuk e ka seriozisht asnjë fjalë në këtë ndjesë."

Në ndjesën e saj, zonja Omar tha se nuk kishte ndërmend të fyente askënd, as amerikanët hebrenj, kur la të kuptohej se lobistët i paguajnë ligjvënësit për të mbështetur Izraelin. Ajo tha se kërkonte falje “pa asnjë mëdyshje.”

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG