Presidenti amerikan Donald Trump thotë se është i hapur për bisedime me Korenë e Veriut "në kohën e duhur".
Sipas Shtëpisë së Bardhë Presidenti zhvilloi të mërkurën një bisedë telefonike me presidentin e Koresë së Jugut Moon Jae-in.
"Dy udhëheqësit theksuan rëndësinë e vazhdimit të fushatës së presionit maksimal ndaj Koresë së Veriut", thuhet në një deklaratë të zyrës së sekretares së shtypit Sarah Huckabee Sanders, që i referohet bisedës.
"Presidenti Trump shprehet i hapur për të mbajtur bisedime mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut në kohën e duhur, nën rrethanat e duhura", thotë deklarata.
Biseda u njoftua fillimisht nga zyra e presidentit Moon. Ajo vjen një ditë pasi Koreja e Veriut dhe e Jugut zhvilluan bisedimet e tyre të para në më shumë se dy vjet.
Është hera e dytë që udhëheqësit e SHBA-së dhe Koresë së Jugut bisedojnë brenda më pak se një jave.
Deklarata e zyrës së presidentit Moon bënte një karakterizim të ngjashëm, duke cituar presidentin Trump që i thoshtë zotit Moon se "në kohën dhe rrethanat e përshtatshme, Shtetet e Bashkuara janë të hapura, nëse Koreja e Veriut dëshiron të bisedojë".
Sipas deklaratës së Seulit, zoti Trump kishte rënë dakord se nuk do të kishte asnjë veprim ushtarak, ndërkohë që zhvillohen bisedime.
Më herët të mërkurën, zoti Moon theksoi se çnuklearizimi i Koresë së Veriut është qëllimi afatgjatë i përpjekjeve të tij për t'u angazhuar me Phenianin për të marrë pjesë në Lojrat e ardhshme Olimpike dhe për të rifilluar bisedimet ushtarake.
"Ajo që ne mund të bëjmë për momentin është përmirësimi i marrëdhënieve ndër-koreane, të angazhojmë Korenë e Veriut në dialog, në mënyrë që të kthehet në tryezën e negociatave, për të mbrritur në fund tek çnuklearizimi", tha zoti Moon gjatë konferencës vjetore për shtyp të tij.
Bisedimet mes dy Koreve
Presidenti Moon, i cilësoi marrëveshjet e arritura gjatë bisedimeve ndër-koreane të martën, si një hap pozitiv i parë që mund të krijonte një pauzë në provokime dhe të nxiste diplomacinë.
Pas 11 orë bisedimesh mes delegacioneve të nivelit të lartë, u ra dakord për rivendosjen e një linjë telefonike urgjente të komunikimit mes dy vendeve, të zhvillohen bisedime në nivel ushtarak për të zgjidhur mosmarrëveshjet si dhe të shmangen konfliktet aksidentale në një kohë kur tensionet janë të larta mbi përpjekjet e Koresë së Veriut për zhvillimin e programit të raketave bërthamore të afta për të goditur Shtetet e Bashkuara.
Shtëpia e Bardhë gjithashtu konfirmoi të mërkurën se nënpresidenti Mike Pence do të udhëheqë një delegacion të nivelit të lartë amerikan që do të marrë pjesë në lojrat Olimpike Dimërore që mbahen muajin e ardhshëm në Korenë e Jugut.
Trump dhe arritjet e tij
Në konferencën e tij vjetore zoti Moon vlerësoi zotin Trump për ndihmën e tij në lehtësimin e bisedimeve ndër-koreane duke rritur presionin përmes sanksioneve ndaj udhëheqjes së Koresë së Veriut.
Por udhëheqësi i Koresë së Jugut tha se qasja e tij, që nënkupton zvogëlimin e tensioneve përmes dialogut dhe angazhimit, ndryshon nga theksimi që i vë zoti Trump presionit ndaj qeverisë së Kim Jong Un-it me sanksione dhe kërcënim për përdorim të forcës ushtarake.
Koreja e Jugut, tha zoti Moon, dëshiron të ndjekë përpjekjet për çnuklearizim pa rrezikuar një luftë shkatërruese me Korenë e Veriut, që do të rrezikonte miliona koreanë në të dy anët e kufirit.
"Si mund të mos përshkallëzohet kjo çështje dhe si mund të parandalojmë një konflikt të armatosur të mundshëm dhe ndërsa bëjmë këtë të mund të sjellim Korenë e Veriut në tryezën e dialogut? Kjo është dilema jonë e tanishme dhe kjo kërkon një qasje të kujdesshme", tha zoti Moon.
Ndërsa kreu i Koresë së Jugut tha se qasja e tij ndaj Veriut nuk do të shkelte sanksionet e Kombeve të Bashkuara, kritikët thonë se angazhimi i tij mund të zvogëlojë presionin ndërkombëtar mbi qeverinë Kim-it dhe të dobësojë aleancën ushtarake të SHBA-së me Korenë e Jugut.
Më parë zoti Trump ka qenë kritik ndaj mundësisë së negociatave me udhëheqjen e Koresë së Veriut që ka thyer marrëveshjet e kaluara për t'i dhënë fund programit të saj bërthamor në këmbim të ndihmës ekonomike dhe garancive për siguri. Por këtë javë zoti Trump i quajti bisedimet ndër-koreane "një gjë të mirë" rezultat i qëndrimit të tij "të fortë dhe e të palëkundur", duke bërë të ditur se SHBA do të përfshiheshin "në kohën e duhur".
Facebook Forum