Lidhje

Media: Presidenti Trump u përpoq të shkarkonte Prokurorin e Posaçëm Mueller


Presidenti amerikan, Donald Trump i hodhi poshtë njoftimet e gazetave “New York Times” dhe “Washington Post” sipas së cilave ai kishte dashur ta shkarkonte prokurorin e posaçëmRobert Mueller në qershor. Sipas njoftimeve ai u tërhoq pasi këshilltari ligjor i Shtëpisë së Bardhë kërcënoi të jepte dorëheqjen.

Presidenti Trump foli nga nga Davos i Zvicrës ku po merr pjesë në Forumin Botëror Ekonomik. Ai i cilësoi njoftimet si “lajme të rreme, lajme tipikee të rreme të (gazetës) ‘New York Times’”.

Zoti Mueller po heton rreth akuzave se këshilltarët e zotit Trump gjatë fushatës bashkëpunuan me Rusinë për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Një pistë tjetër hetimesh është pengimi i drejtësisë nga Shtëpia e Bardhë.

Sipas gazetave, zoti Trump donte që Departamenti i Drejtësisë të shkarkonte prokurorin e posaçëm Mueller sepse mendonte që kishte tre konflikte interesi që e skualifikonin atë për të kryesuar hetimin: një mosmarrëveshje lidhur me kuotat e anëtarësimit në një klub golfi në pronësinë e familjes Trump, për shkak të së cilës zoti Mueller dha dorëheqjen nga klubi; fakti që zoti Mueller kishte punuar për një firmë ligjore, që kishte përfaqësuar dhëndrin dhe këshilltarin e tij, Jared Kushner; si edhe fakti që zoti Mueller ishte intervistuar për t’u kthyer në postin e drejtorit të FBI-s, një ditë para se të emërohej si prokuror i posaçëm.

Sipas njoftimeve të shtypit, këshilltari ligjor i Shtëpisë së Bardhë Don McGahn nuk pranoi t’ia përcillte Departamentit të Drejtësisë urdhrin e Presidentit për të shkarkuar zotin Mueller.

Ai besonte se shkarkimi i prokurorit të posaçëm do të kishte një efekt katastrofik tek presidenca e zotit Trump dhe do të hidhte një hije edhe më të errët për pengimin e drejtësisë, sipas artikujve.

Avokati i zotit Trump, Ty Cobb nuk pranoi të komentonte lidhur me njoftimet “për të respektuar Zyrën e Prokurorit të Posaçëm dhe procesin e punës së tij”.

Ndërkohë, ekipi ligjor i presidentit Trump tha të enjten se mbi 20 punonjës së Shtëpisë së Bardhë kanë folur me dëshirën e vet me zotin Mueller dhe hetuesit e tij, në kuadër të hetimit për lidhjet me Rusinë.

Vetë zoti Trump u tha gazetarëve para se të nisej për në Davos të Zvicrës se do të pranonte të intervistohej nga prokurori Mueller.

Ai përsëriti se nuk kishte pasur bashkëpunim me Rusinë për ta ndihmuar atë të fitonte në zgjedhje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG