Lidhje

Urdhri ekzekutiv i presidentit, çfarë ndryshon te forcat e rendit?


Pas javësh me protesta kundër dhunës policore, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump nënshkroi të martën një urdhër ekzekutiv për disa reforma për policinë. Urdhri erdhi krahas përpjekjeve të veçanta si nga republikanët dhe demokratët në kongres, që kishin si në qendër të njëjtat reforma. Korrespondendja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara njofton:

Urdhri ekzekutiv i Presidentit, çfarë ndryshon te forcat e rendit?
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:54 0:00

Javën e kaluar afrikano-amerikani Rayshard Brooks, vdiq pasi u godit me armë nga një polic i bardhë në një restorant me ushqim të shpejtë në Atlanta të Xhorxhas. Restoranti u dogj nga protestuesit, një kujtesë e tensioneve që kanë përfshirë vendin, lidhur me dhunën e disa forcave policore dhe racizmin sistematik, që pas vdekjes së George Floyd-it në duart e policisë në Mineapolis të Minesotës në fund të majit.

I rrethuar nga forca të rendit, Presidenti Donald Trump nënshkroi të martën një urdhër ekzekutiv për reforma policore. Ai tha se përqindja e policëve të këqinj është fare “e vogël” dhe bëri thirrje për reforma që nuk komprometojnë punën e policëve të mirë.

Ai hodhi poshtë thirrjet për të zhvendosur fondet e policisë në forma të tjera të sigurisë publike, si shërbimet sociale.

“Amerikanët duan ligjin dhe rendin. Ata mund të mos e thonë, mund të mos flasin për një gjë të tillë, por kjo është ajo që duan. Disa mund të mos ta dinë as se çfarë duan, por kjo është ajo që duan”, tha ai.

Urdhri Ekzekutiv përfshin certifikimin e departamenteve të policisë, konsolidimin e ndarjes së informacionit për të gjykuar oficerët e policisë për përdorim të tepërt të forces, dhe krijimin e shërbimeve për kujdesin mendor, varësinë nga droga dhe të pastrehët.

Rafael Mangual është me Institutin konservator Manhattan.

“Është një hap në drejtimin e duhur. Nuk shkon në ekstrem dhe kështu duhet të jetë. Mendoj se çdo ndryshim rrënjësor duhet të vijë nga Kongresi. Por mendoj se është drejtimi i duhur, si trajnimi për mangësitë dhe më shumë qartësi përsa u takon të dhënave për sjelljet e gabuara të policisë dhe transparencë më e madhe lidhur me to”, thotë zoti Mangual.

Zoti Trump tha se veprime si shtrëngimi i fytit me gju nga polici ndaj Gerorge Floydit, nuk duhet të përdoren përveçse nëse jeta e oficerit është në rrezik. Udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer tha se urdhri i zotit Trump nuk është i mjaftueshëm.

“Ata thonë se eliminon veprime si shtrëngimin e qafës, por është më shumë mbi baza vullnetare, ashtu si edhe regjistri kombëtar”, tha ai.

Megjithë konsensusin dypartiak se masat janë të nevojshme mes protestave në gjithë vendin, në Kongres nuk ka shumë pika të përbashkëta për reformat e policisë, me propozime të veçanta mes demokratëve dhe republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve.

Një nga mosmarrëveshjet kyçe është mbi çështjen e “imunitetit” që mbron oficerë të rendit të akuzuar për sjellje të keqe. Demokratët dhe të prekurit nga dhuna policore thonë se përkufizimi se sjellja e oficerëve duhet të dhunojë “ligje të përcaktuara qartë ose të drejta kushtetuese”, që të hiqet ky imunitet, është shumë i vështirë për t’u plotësuar.

Gjykata e Lartë refuzoi të hënën ta rianalizonte këtë doktrinë.

Presidenti nuk e përmendi racizmin – një nga temat kryesore të lëvizjes Black Lives Matter.

Pas komenteve të tij, kandidati demokrat për president, Joe Biden bëri publike një video për këtë temë dhe tha se “racizmi sistematik është i pranishëm në çdo pjesë të shoqërisë, përfshirë rendin, dhe duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet që ta çrrënjosim”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG