Lidhje

Trump dënon padinë ligjore që sfidon shpalljen e emergjencës kombëtare


Presidenti Donald Trump e dënoi një padi ligjore të ngritur nga 16 shtete amerikane, të cilat sfidojnë deklarimin nga ana e tij të emergjencës kombëtare, me synim sigurimin e fondeve për ngritjen e një muri kufitar me Meksikën. Siç njofton korrespondetja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë Patsy Widakuswara, padia ligjore argumenton se deklarimi i gjendjes së emergjencës nga Presidenti Trump është jokushtetues, ndërsa kërkon një vendim gjyqësor që do parandalonte zotin Trump të vepronte, ndërkohë gjykata shqyrton ligjshmërinë e saj.

Agjentët amerikanë të kufirit zhvilluan këtë muaj një seri stërvitjesh pranë kufirit me Meksikën, ndërsa mijëra migrantë nga Amerika Qendrore kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Donald Trump e ka quajtur rrjedhën e imigrantëve “pushtim” dhe shpalli emegjencën kombëtare. 16 shtete po e sfidojnë vendimin e zotit Trump. Xavier Becerra është Prokuror i Përgjishëm i Kalifornisë:

“Presidenti nuk ka fuqi për të vepruar në mënyrë të pandershme, duke shfrytëzuar pushtetin e demokracisë më shumë se 240 vjeçare, për ta përdorur atë në mënyra që nuk kanë patur kurrë atë qëllim.”

Presidenti shpalli emergjencën kombëtare në fund të javës së kaluar, pasi Kongresi refuzoi fondet për një mur kufitar, një nga premtimet kryesore

të fushatës së tij. Në një postim në rrjetin social Twitter, Presidenti Trump e kritikoi padinë dhe fajësoi demokratët:

“Kemi të drejtën absolute ta bëjmë këtë. Kam një të drejtë absolute të thërras sigurinë kombëtare. Kemi nevojë për kufij të fortë.” – tha Presidenti.

Aktpadia kërkon një vendim gjyqësor, që nënkupton se zoti Trump mund të mos jetë në gjendje të ndërtojë murin, ndërsa çështja trajtohet në gjykatë. Scott Anderson është me Institutin Brookings.

“Nëse qeveria futet në pronën e dikujt, ndërton pjesë të murit ose merr para dhe fillon të shpenzojë me kontraktorë dhe pajisje ndërtimi, këto janë aktivitete që janë vështirë të zhbëhen. Mendoj se paditësit do të kenë argument të mirë, se qeveria duhet të ndalojë ndërtimin e murit derisa të zgjidhen sfidat ligjore.”

Po ashtu, edhe disa organizata jofitimprurëse kanë ngritur padi kundër shpalljes së gjendjes së emergjencës nga presidenti. Procesi gjyqësor pritet të jetë i ndërlikuar. Paul Schiff Berman është ekspert ligjor në Universitetin George Washington:

“Shumica e dispozitave në kodin federal për deklarimin e një emergjence kombëtare në të vërtetë nuk kanë një standard të përcaktuar, domethënë se si përcaktohet se çfarë është emergjencë kombëtare dhe çfarë nuk është. Nuk është e qartë në se egziston një standard juridik kuptimplotë dhe sinqerisht, që kemi një problem me vetë statutet,”- thotë zoti Berman.

Zgjidhja e plotë e çështjes mund të zgjasë me muaj, apo vite thonë ekspertët.

“Një Kongres i ri ose një president i ri mund të mos jetë aq i angazhuar ndaj kësaj çështjeje. Po ashtu, egziston mundësia që Kongresi të zgjedhë marrjen e veprimeve që kufizojnë, ose frenojnë shumë nga autoritetet që presidenti po pretendon se mund të përdorë”, thotë Scott Anderson me Institutin Brookings.

...Edhe demokratët në Kongres po shqyrtojnë një aktpadi për të sfiduar deklaratën e presidentit, gjë që do të shtonte më shumë pengesat që zoti Trump të përmbushë premtimin e tij për ndërtimin e murit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG