Lidhje

Trump: media e lajmeve të rreme, shtet brenda shtetit


Presidenti Donald Trump akuzoi sot atë që ai e quajti “shtet brenda shtetit” dhe media e rreme të lajmeve, si kundërpërgjigje ndaj një shkrimi të gazetës New York Times, i botuar dje në rubrikën e opinioneve nga një autor anonim që thotë se është një zyrtar i lartë i administratës. Autori pohon se brenda Shtëpisë së Bardhë ka rezistencë të heshtur ndaj Presidentit dhe impulset e tij më të këqia shpesh janë penguar nga stafi i tij. Mbrëmë, zoti Trump kërkoi që gazeta të tregojë menjëherë emrin e zyrtarit për ndjekje penale.

Trump reagon ndaj Nju Jork Tajmsit
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:35 0:00

Presidenti Trump reagoi me zemërim ndaj një opinioni në gazetën New York Times, i botuar nga autori anonim. Përpara kërkesës së tij në Twitter që gazeta të tregojë emrin, ai u përpoq të hedhë dyshime: "A ekziston vërtet i ashtuquajturi zyrtar i lartë i administratës, apo është një tjetër burim i rremë i gazetës së dështuar New York Times?" pyeste Presidenti Trump.

"Na duhet të merremi me këtë dhe ju e dini që mediat e pandershme na bëjnë që ju njerëzit të merreni me këtë, ashtu si dhe unë. Është vërtetë një turp. Por dua të them këtë: askush nuk ka bërë atë që ka bërë kjo administratë në drejtim të realizimit të gjërave.”

Dje ai priti një numër shefash policie dhe iu desh njëkohësisht të komentonte në Twitter, duke e quajtur frikacak personin prapa shkrimit anonim.

Autori e quan Presidentin Trump "amoral", njeri "përgjithësisht anti-tregti dhe anti-demokratik".

"Është e besueshme. Ata prej nesh që kanë qenë pranë tij kur ai e ka humbur e kuptojnë se nuk ka nevojë të jesh në sallë për ta dëgjuar atë që ka për të thënë. Zoti mos e dhëntë të jesh në sallë kur ai merr një vendim të tmerrshëm në dëm të vendit,” thotë senatori Dick Durbin.

"E lexova dhe nuk e di kush e ka shkruar”, ishte reagimi i senatorit Ted Cruiz.

Shkrimi i Nju Jork Tajmsit nuk e dënon plotësisht presidencën Trump, duke ngjallur hamendje në kryeqytet se autori është dikush që përgjithësisht e mbështet agjendën e administratës republikane.

Të paktën dy zyrtarë të lartë të administratës thanë se nuk ishin ata autorë të shkrimit.

Duke folur gjatë një vizite në Indi, Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo e quajti artikullin "për të ardhur keq" dhe tha se ai i shikon si jashtëzakonisht shqetësuese "përpjekjet e medias për të minuar administratën".

Një mohim të ngjashëm bëri edhe zyra e nënpresidentit Mike Pence.

Në opinionin anonim përmenden episode anekdotike të përfshira në librin e ri të gazetarit Bob Woodward "Frikë", ku thuhet se stafi i presidentit ka hequr dokumente të rëndësishme nga tavolina e tij që ai të mos i nënshkruante. Dje, zoti Trump e quajti në mënyrë të përsëritur librin "sajesë".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG