Lidhje

Asambleja e Përgjithshme, pro rezolutës që refuzon njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet


Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi me 128 vota pro, 9 kundër dhe 35 abstenime për një rezolutë që kundërshton njohjen e SHBA nga Jeruzalemi si kryeqytet të Izraelit.

Shqipëria votoi pro rezolutës.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Nikki Haley përsëriti vendosmërinë e SHBA për të zhvendosur ambasadën e vendit të saj në Jeruzalem. Ajo i bëri komentet në seancën urgjente të Asamblesë së Përgjithshme, e cila shqyrtoi rezolutën në fjalë.

Në fjalimin që mbajti në seancën e sotme, Ambasadorja Haley tha se Shtetet e Bashkuara janë kontribuesja më e madhe e Kombeve të Bashkuara, shumë më e madhe se vendet e tjera dhe se kjo duhet të respektohet nga të tjerët.

“Ne do t’jua themi ndershmërisht: kur ne japim kontribute zemëgjera për Kombet e Bashkuara, ne kemi gjithashtu shpresën legjitime se dëshira jonë e mirë do të njihet dhe do të respektohet,” tha ajo.

Zonja Haley ritheksoi se Amerika do ta vendosë ambasadën e saj në Jeruzalem. “Kjo është ajo që na kërkon populli amerikan dhe është veprimi i drejtë që duhet bërë,” tha zonja Haley.

Ajo paralajmëroi më parë përfaqësuesit e vendeve të tjera në Kombet e Bashkuara se do të mbajë shënim emrat, kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të votojë për rezolutën që refuzon njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.

Zonja Haley tha se Presidenti Trump i ka kërkuar që ajo t'i dorëzojë një raport mbi vendet të cilat votojnë kundër Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Trump njoftoi më parë këtë muaj se Uashingtoni do ta njohë Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe do të fillojë përgatitjet për të ndërtuar atje një ambasadë të re. Vendimi shënon një ndryshim në politikën e Uashingtonit për Izraelin.

Njoftimi i zotit Trump u ndesh të hënën me një nismë brenda Këshillit të Sigurimit për miratimin e një rezolute ku theksohet "keqardhja e thellë për vendimet e fundit lidhur me statusin e Jerusalemit".

Shtetet e Bashkuara përdorën fuqinë e vetos për ta bllokuar miratimin e rezolutës.

Izraeli e shikon tërë Jeruzalemin si kryeqytetin e tij të përjetshëm, ndërsa palestinezët duan Jerusalemin Lindor si kryeqytet të një shteti të ardhshëm dhe thonë se Shtetet e Bashkuara nuk janë më një partner i besueshëm në procesin e paqes.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG