Lidhje

Trump: është caktuar data dhe vendi për takimin me Kim Jong Un-in


Presidenti amerikan Donald Trump tha të premten se është përcaktuar vendi dhe data, për takimin e planifikuar me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un.

"Tashmë kemi një datë dhe një vend", u tha zoti Trump gazetarëve përpara Shtëpisë së Bardhë, ndërsa po nisej për në qytetin jugor të Dallasit, në Teksas. Ai shtoi se detajet e takimit historik do të shpallen së shpejti.

Zoti Trump tha se Uashingtoni dhe Pheniani janë angazhuar në "bisedime shumë domëthënëse" si dhe shtoi se "tashmë kanë ndodhur shumë zhvillimet në lidhje me çështjen e pengjeve", duke lënë të kuptohet se Koreja e Veriut mund t’i lëshojë së shpejti tre amerikano-koreanët e burgosur.

Më parë gjatë kësaj jave ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Rudy Giuliani, i cili sapo është bërë pjesë e ekipit ligjor të zotit Trump, tha se amerikanët priteshin të liroheshin nga një kamp pune të enjten (3 Maj). Qeveria amerikane po shqyrton njoftimet se kohët e fundit pengjet janë zhvendosur nga një kamp pune, në një hotel pranë kryeqytetit të Phenianit.

Tony Kim dhe Kim Hak-Song, jepnin mësim në universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë të Phenianit, i vetmi universitet privat në vend. Ata u arrestuan veçmas në vitin 2017 dhe u akuzuan për pjesëmarrje në veprimtari anti-shtetërore si dhe përpjekje për të përmbysur qeverinë.

I burgosuri i tretë, Kim Dong-Chul, u arrestua në Rason, në verilindje të Koresë së Veriut, në tetor 2015. Ai u dënua në 2016 me 10 vjet punë të rëndë në burg, i akuzuar për spiunazh.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG