Lidhje

Presidenti Trump i bën thirrje Kongresit t'i japë fund lotarisë amerikane


Presidenti Donald Trump i bëri thirrje Kongresit që t'i japë fund programit të lotarisë amerikane. Ai i bëri komentet pasi tha në Twitter se autori uzbek i sulmit të djeshëm në Nju Jork, kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara me një vizë imigracioni të njohur si lotaria amerikane.

“Po filloj sot procesin e eliminimit të Programit të Lotarisë Amerikane. Do t'i kërkoj Kongresit që të fillojë menjëherë punën për t'i dhënë fund këtij programi, Lotaria e Diversitetit tingëllon mirë, por nuk është diçka e mirë. Nuk ka qenë diçka e mirë. Ne kemi qenë kundër", tha zoti Trump.

Presidenti Donald Trump bëri thirrje për masa imigracioni, mbështetur në një sistem meritash, pasi shkruajti në Twitter se autori uzbek i sulmit të djeshëm në Nju Jork, kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara me një vizë imigracioni të njohur si lotaria amerikane.

“Ne do t’i japim fund kësaj çmendurie”, u shpreh presidenti, i cili ia atribuoi ekzistencën e programit të Departamentit të Shtetit për llotarinë amerikane, kreut të demokratëve në Senat, Chuck Schumer.

Senatori Schumer luajti një rol të rëndësishëm në hartimin e legjislacionit për programin në vitet 1990. Ai tha të martën me anë të një deklarate, se “gjithmonë kishte besuar dhe vazhdonte të besonte se imigracioni është diçka e mirë për Amerikën”, duke propozuar që zoti Trump të përqendrohej në një “zgjidhje reale” për financimin kundër terrorizmit.


Megjithëse zoti Trump ia atribuoi programin senatorit Schumer, kreu i pakicës në Senat ishte anëtar i një grupi dypartiak me tetë ligjvënës që në vitin 2013, hartuan një paketë Gjithpërfshirëse Reformash Imigracioni që do ta eliminonte krejtësisht lotarinë amerikane. Projekt-ligji u miratua nga Senati por nuk u votua nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe si rezultat skadoi.

FILE - Senate Minority Leader Chuck Schumer of New York speaks to reporters on Capitol Hill in Washington, July 28, 2017, after the Republican-controlled Senate proved unable to repeal and replace the Affordable Care Act.
FILE - Senate Minority Leader Chuck Schumer of New York speaks to reporters on Capitol Hill in Washington, July 28, 2017, after the Republican-controlled Senate proved unable to repeal and replace the Affordable Care Act.

Zyrtarët thanë se autori i sulmit është emigrant nga Uzbekistani që ka hyrë ligjërisht në Shtetet e Bashkuara në vitin 2010. Por Departamenti i Shtetit vuri në dukje se informacioni për vizat është konfidencial sipas ligjit amerikan dhe se nuk mund të komentonte për aplikime konkrete vizash.

Presidenti Trump shkruante gjithashtu në Twitter:

“Ne po përpiqemi me të gjitha forcat për një sistem mbështetur në merita, jo më sistem lotarie demokratësh. Duhet të bëhemi shumë më të rreptë dhe të zgjuar”.

Zoti Trump ka përkrahur legjislacion që do ta reduktonte imigracionin e ligjshëm, në favor të një sistemi që do ta vinte theksin tek merita dhe aftësitë dhe jo tek lidhjet familjare.

Për ata që duan të bëhen shtetas amerikanë, por nuk kanë familjarë në Shtetet e Bashkuara, nuk gëzojnë sponsorizimin nga një punëdhënës, ose nuk janë refugjatë, viza e diveristetit, e njohur gjithashtu si lotaria e kartës së gjelbër, është alternative e vetme. Që të kualifikohesh për të përfituar prej saj, duhet të kesh kryer të paktën shkollën e mesme, ose të kesh disa vite përvojë pune.

Para dy javësh, Departamenti i Shtetit njoftoi se të gjitha aplikimet për lotari të këtij viti, kanë humbur dhe duhet të ribëhen.

Para disa muajsh, senatorët republikanë propozuan eliminimin e programit.

Në vitin fiskal 2015, Shtetet e Bashkuara dhanë 48,097 viza për lotari amerikane nga 531,463 viza imigracioni gjithsej.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG