Lidhje

Trump: Departamenti i Drejtësisë të hetojë mbi autorin e artikullit kritik


Presidenti amerikan, Donald Trump po i kërkon Departamentit të Drejtësisë që të hetojë autorin anonim të artikullit në gazetën “New York Times”, ku vihej në diskutim nëse ai është i përshtatshëm për të qenë President.

Zoti Trump përmendi si arsye për hetimin “sigurinë kombëtare” dhe i bëri thirrje Prokurorit të Përgjithshëm, Jeff Sessions që ta fillojë një përpjekje të tillë.

“New York Times” përmes një deklarate tha se kishte besim se Departamenti i Drejtësisë “nuk do të përfshihej në një shpërdorim të tillë të hapur të pushtetit nga qeveria”.

Të enjten, zyrtarë të lartë të administratës së Presidentit Trump e denoncuan artikullin e botuar në faqen e opinioneve dhe mohuan çdo lloj përfshirje në shkrimin e tij.

Autori i prezantuar nga gazeta si zyrtar i lartë i administratës së Presidentit Trump, kritikon “amoralitetin” dhe stilin e tij të udhëheqjes. Ai thotë më tej se ka një numër njerëzisht brenda administratës që po punojnë për të frenuar “instinktet më të këqia” të presidentit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG