Mijëra vetë u mblodhën dje në afro 20 qytete në Meksikë për të protestuar ndaj planeve të Presidentit amerikan Donald Trump për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit mes dy vendeve. Protestuesit kritikuan edhe presidentin e tyre Enrique Pena Nieto si udhëheqës i dobët në një vend të mbërthyer nga korrupsioni dhe dhuna.
Zyrtarë lokalë përllogarisin se rreth 30 mijë vetë marshuan në dy qytetet më të mëdha të vendit, Qytetin e Meksikës dhe në Guadalahara. Protestuesit mbanin flamuj meksikanë në duar dhe parulla anti-Trump në spanjisht dhe anglisht, disa me fjalë vulgare.
"Meksika duhet respektuar, zoti Trump” thuhej në një parullë gjigande që kishin sjellë protestuesit.
Shumë pjesëmarrës thërrisnin “Duam ura, jo mure” duke iu referuar planit të zotit Trump për të ndërtuar një mur në kufirin mes dy vendeve që presidenti amerikan thotë se do të bllokojë imigracionin e paligjshëm dhe trafikun e drogës për në Shtetet e Bashkuara.
Meksika shqetësohet se politikat e presidentit amerikan mund të zhysin në krizë ekonominë e dytë më të madhe të Amerikës Latine.
Presidenti Trump ka kërcënuar ekonominë e Meksikës duke thënë se do të anulojë marrëdhëniet e privilegjuara të tregtisë me Shtetet e Bashkuara, duke i akuzuar këto marrëveshje si shkaku i humbjes së vendeve të punës për amerikanët.
Presidentët Trump dhe Pena Nieto ishin mbërthyer në një betejë lidhur me marrëdhëniet dy palëshe, edhe para se zoti Trump të fitonte zgjedhjet. Gjatë fushatës zoti Trump pat folur shpesh për politika më të forta ndaj imigracionit dhe tregtisë me Meksikën.
80% e eksporteve të Meksikës dërgohen në Shtetet e Bashkuara. Këto mallra arritën vlerën afro 300 miliardë dollarë në 2015.
Në tre javët e administratës së re, zoti Trump është zotuar të vërë në jetë planet për ngritjen e murit, koston e të cilit ai premton se do ta paguajë Meksika. Ai është zotuar gjithashtu të kthejë në vendet e tyre miliona imigrantë të paligjshëm.
Agjencia e Imigracionit dhe Kufijve ka zhvilluar disa bastisje në qytete të ndryshme të vendit në operacione që filluan javën e kaluar dhe ka arrestuar qindra imigrantë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara pa dokumente të rregullta.
Twitter Të dielën në mëngjes zoti Trump tha në një koment në Twitter “Goditja e kriminelëve të paligjshëm është thjesht përmbushja e premtimit në fushatë. Pjesëtarë bandash, trafikantë droge e të tjerë do të dëbohen!”