Lidhje

Trump: Po tregohemi "agresivë" për çështjen Khashoggi


Presidenti Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara po tregohen "shumë agresive" në përpjekjet për të zbuluar se çfarë ka ndodhur me gazetarin saudit, i cili është zhdukur prej një jave, pas hyrjes në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.

Ekzistojnë shqetësime se Jamal Khashoggi, i cili ka shkruar edhe për gazetën Washington Post, është vrarë.

Presidenti Trump tha në një intervistë televizive se “SHBA kanë dërguar hetues atje dhe po punojnë me Turqinë dhe sigurisht edhe me Arabinë Saudite''.

Presidenti tha për emisionin "Fox & Friends" se Khashoggi “shkoi dhe nuk duket të ketë dalë më nga konsullata”.

Por ai nuk dha hollësi për ndonjë hetim.

Ai u pyet rreth një njoftimi të gazetës Washington Post se të dhënat e kapura nga zbulimi amerikan flasin për një plan saudit për të kapur gazetarin Khashoggi. Presidenti Trump tha: “Kjo do të ishte një gjë shumë e trishtueshme dhe ndoshta do të dimë rreth kësaj në të ardhmen e afërt”.

Ai i përshkroi marrëdhëniet me Arabinë Saudite si "të shkëlqyera". I pyetur nëse zhdukja e gazetarit mund t'i vinte këto marrëdhënie në rrezik, zoti Trump tha: “Më duhet të zbuloj se çfarë ka ndodhur.”

SHTOHET PRESIONI

Si presidenti Trump ashtu edhe homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan, janë nën presion për të marrë një shpjegim nga Arabia Saudite rreth zhdukjes së gazetarit Jamal Khashoggi.

Hetuesit turq kanë arritur në përfundimin se Khashoggi ka vdekur. Dyshimet janë se qeveria saudite ose e ka rrëmbyer ose e ka vrarë atë për kritikat e tij ndaj dinastisë mbretërore. Por zyrtarët sauditë mohojnë se kanë të bëjnë me zhdukjen e tij.

Aktivistët u mblodhën të mërkurën pranë ambasadës saudite në Uashington, për të kërkuar përgjigje rreth zhdukjes së Khashoggit dhe për të shprehur dyshimin se ai është vrarë me urdhër të princit të kurorës saudite, Mohammed bin Salman.

Presidenti Trump tha se kishte folur me sauditët për atë që ai e quajti një "situatë e keqe":

"Duhet gjetur se kush e ka bërë. Njerëzit e panë atë të hyjë, por nuk e panë të dalë, mesa kuptoj unë, por do ta shohim shumë seriozisht këtë; Është e tmerrshme".

Ligjvënësit amerikanë nga të dyja partitë thonë se nëse sauditët janë përgjegjës për zhdukjen e Khashoggit, administrata e Presidentit Trump duhet të veprojë.

"Kjo i errëson marrëdhëniet si një re e madhe. Unë gjithnjë kam qenë mbështetës i Arabisë Saudite, ata kanë qenë aleat i mirë në ndarjen e informacioneve të zbulimit dhe ne kemi armiq të përbashkët në Iran si dhe me islamin radikal Sunni", thotë senatori Lindsey Graham.

"Nëse Arabia Saudite merr një banor amerikan, e josh atë në konsullatë dhe e vret, atëherë është koha që Shtetet e Bashkuara të rishikojnë marrëdhëniet ushtarake, politike dhe ekonomike me Arabinë Saudite,” thotë senatori Chris Murphy.

Edhe Presidenti Erdogan është nën presion nga mbështetësit dhe kundërshtarët e tij.

BORZOU DARAGHI, gazetar, Stamboll

"Nuk mendoj se sauditët e kuptojnë. Këtu nuk bëhet fjalë për Kuvajtin, as Jordaninë apo Emiratet e Bashkuara, ku ata mund të bëjnë lojra të tilla. Bëhet fjalë për një vend me histori shumë të veçantë i cili nuk ka qejf që vende të tjera të vijnë këtu e të bëjnë punë të tilla," thotë gazetari Borzou Daraghi në Stamboll.

Mediat turke thonë se një ekip saudit prej 15 vetësh arriti në Turqi javën e shkuar dhe e vrau gazetarin, duke i copëtuar trupin. Një akt i tillë shihet si sfidë ndaj autoritetit të Erdoganit.

Por kjo gjithashtu mund ta vërë në pozitë të vështirë Presidentin Trump. Kongresmeni demokrat Gerry Connolly komentoi për shërbimin turqisht të Zërit të Amerikës:

"Në mbështetjen e tij pothuajse naive ndaj sistemit saudit dhe udhëheqjes saudite, kur ai prit me ceremoni të madhe në vizitën e parë jashtë vendit që ishte Arabia Saudite, mendoj se ai mund ta ketë bërë padashje princin e kurorës të besojë se marrëdhënia do të ishte e tillë ku sauditët nuk do të mbaheshin përgjegjës për sjelljet e tyre.”

Gazetari Khashoggi ka jetuar në Shtetet e Bashkuara që nga viti i kaluar dhe shkruante për Washington Post-in.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG