Presidenti Donald Trump tha në një fjalim që mbajti të premten në një tubim të aktivistëve që morën pjesën në Marshimin Vjetor për Jetën, se administrata e tij “do ta mbrojë gjithmonë të drejtën e parë të Deklaratës së Pavarësisë, që është e drejta për jetën.”
Zoti Trump u foli aktivistëve përmes videos, nga Kopshti i Trëndafilave i Shtëpisë së Bardhë, i rrethuar nga pjesëmarrës në aktivitetet kundër abortit.
Ai tha, "E ardhmja e Amerikës do të mbushet me të mira, paqe, gëzim, dinjitet dhe jetë për çdo fëmijë të zotit.”
Më parë, të premten, Presidenti Trump e shpalli 19 janarin “Dita Kombëtare e Shenjtërisë së Jetës”.
Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë, ku thuhej se Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore do të propozojë kufizimin e fondeve të taksapaguesve, që ato të mos përdoren nga grupe që mbështesin politika, apo praktika diskriminuese; për të mbrojtur amerikanët që kanë besime fetare dhe morale, që lidhen me disa shërbime të kujdesit shëndetësor” dhe për të pranuar se Amerikanët nuk duhen diskriminuar për besimet e tyre fetare, apo morale kur marrin shërbime të tilla të kujdesit shëndetësor.
Në takim foli edhe nënpresidenti Mike Pence, i cili njihet prej vitesh si mbështetës i Lëvizjes për Jetën. Ai e cilësoi Donald Trumpin si “presidentin më pro-jetës në historinë amerikane.”
Aktivistët kundër abortit shpresojnë se administrata Trump do t’i mbështesë përpjekjet e tyre për ta nxjerrë abortin jashtë ligjit.
Facebook Forum