Senatori i Arizonës Jeff Flake është një tjetër ligjvënës republikan që kohët e fundit ka kritikuar administratën Trump. Sikurse senatori i Tenesisë Bob Corker muajin e kaluar, Flake tha të martën se ai nuk do të kërkojë të rizgjidhet në vitin 2018, duke përmendur si shkak kundërshtimin për drejtimin që po merr partia. Një numër ligjvënësish republikanë janë distancuar nga presidenti për çështje si imigracioni, politika e jashtme, organizatat radikale dhe plani për ndërtimin e një muri me Meksikën. Por ata në përgjithësi i kanë shmangur kritikat e drejtpërdrejta ndaj presidentit që i përket partisë së tyre.
Në një fjalim që mbajti të martën, senatori Flake u shpreh i pakënaqur për “frymën e re” në politikën amerikane, duke shtuar se është koha të flitet kundër saj:
"Ideja për të qëndruar në heshtje, ndërsa normat dhe vlerat që e mbajnë Amerikën të fortë minohen dhe ndërsa aleancat dhe marrëveshjet që sigurojnë stabilitetin e të gjithë botës, kërcënohen vazhdimisht nga një nivel të menduari që shprehet me 140 gërma, pra të heshtësh ndaj një sjelleje kaq të paqëndrueshme, bie ndesh me historinë dhe të çon në rrugë të gabuar,” tha ai.
Senatori tjetër republikan, Bob Corker nga Tenesi, tha po dje se kishte shpresuar që zoti Trump do të ngrihej në noivelin e detyrës së tij, “dhe ta udhëhiqte vendin, në vend që ta përçante atë”. Duke ju përgjigjur pyetjes së një gazetari, ai tha se mendonte që Presidenti Trump nuk mund të jetë një model për fëmijët.
"Thënia e vazhdueshme e të pa vërtetave, fyrjet dhe sjellje të kësaj natyre, poshtërimi i vendit tonë, besoj këto janë ato që për të cilat ai do të mbahet mend”, tha senatori Corker.
Shtëpia e Bardhë reagoi menjëherë ndaj kritikave. Zëdhënësja Sarah Huckabee Sanders i doli në mbrojtje zotit Trump, duke thënë se që të dy senatorët nuk kishin mbështetje të mjaftueshme në shtetet përkatëse për t’u rizgjedhur:
"Sigurisht, që unë mendoj se historia ka për ta konsideruar Presidentin Trump si njeriu që ndihmoi në mundjen e ISIS-it, i cili ndërtoi një ekonomi më të fuqishme në disa dekada. Ai e çoi papunësinë në nivelin më të ulët në 16 vjet; ai ka krijuar 1.7 milionë vende pune që nga koha kur u zgjodh. Mendoj se këto janë gjëra të cilat njerëzit i vlerësojnë, dhe jo disa komente të ulëta nga Senatori Corker dhe Senatori Flake."
Republikanë me pozitë shprehën keqardhje që senatori Flake ka vendosur të largohet. Udhëheqësi i shumicës në Senat e vlerësoi atë për “parimet e larta që ka sjellë në Senat”:
"Unë mendoj se senatori nga Arizona ka patur një frymë bashkëpunimi, ai është përpjekur gjithmonë në mënyrë konstruktive për rezultatin, cilado ka të ketë qenë çështja,”- tha kreu i senatorëve në Senat, Mitch McConnell.
John McCain, senator i Arizonës, i cili ka patur gjithashtu përplasje me zotin Trump, tha se senatori Flake "është një njeri me integritet dhe i ndershëm, i njerëzishëm dhe i përkushtuar:
"E kam parë Jeff Flake të mbrojë çështjet tek të cilat ai beson, edhe pse e ka ditur se për këtë mund të paguante çmim politik”- tha zoti McCain.
Edhe disa republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve kanë njoftuar se nuk do të rikandidojnë për zgjedhjet e vitit 2018.
Facebook Forum