Lidhje

Replika mes presidentit dhe kreut të Gjykatës së Lartë


Presidenti Trump dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts kanë shkëmbyer replika në një përplasje publike të pazakontë lidhur me pavarësinë e gjyqësorit në Shtetet e Bashkuara. Gjykatësi Robert iu kundërvu haptazi kritikave të Presidentit Trump ndaj një gjykatësi federal, të cilin zoti Trump e cilësoi “Gjykatës i Obamës”. Gjykatësi në fjalë kishte bllokuar rregulloret e administratës për politikat mbi azilantët.

Në një deklaratë të fortë, kreu i Gjykatës së Lartë Roberts u kundërvihet komenteve të presidentit duke theksuar se gjyqësori gëzon pavarësi politike dhe duke shtuar se nuk ekzistojnë gjykatës të njërit apo tjetrit president.

"(Në Shtetet e Bashkuara) nuk kemi gjykatës të Obamës, të Bushit apo të Klintonit," tha Gjykatësi Roberts në një koment të prerë. "Në këtë vend kemi një grup të jashtëzakonshëm gjykatësish të përkushtuar që bëjnë të pamundurën në çdo nivel për t'u njohur të drejta të barabarta atyre që paraqiten para gjykatës. Të gjithë duhet të jemi mirënjohës për një gjyqësor të pavarur".

Është hera e parë që Gjykatësi Roberts, i emëruar nga një president republikan, ka shprehur kritika ndaj presidentit. Presidenti nga ana e tij ka shprehur shpesh kritika ndaj gjykatësve që kanë bllokuar rregulloret e tij.

Ndërtesa e gjykatës në San Francisko
Ndërtesa e gjykatës në San Francisko

Incidenti e ka zanafillën të martën, kur Presidenti Trump sulmoi Gjykatësin Jon Tigar në San Francisko, përfshirë në Distriktin e 9-të Gjyqësor, i cili bllokoi zbatimin e rregulloreve të administratës kundër azil-kërkuesve. Presidenti reagoi përsëri të enjten duke thënë se gjykatësit në Distriktin e 9-të kishin tendenca negative kundër tij.

Presidenti iu përgjigj komenteve të Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Roberts, përmes postimeve në Twitter.

Presidenti komentoi në Twitter duke thënë “Gjykatësi Roberts mund të thotë ç’të dojë, por Distrikti i 9-të Gjyqësor (lexo: distrikti ku vepron gjykatësi që bllokoi urdhëresën e administratës Trump) është tmerr. Ka dalë jashtë kontrolli, ka një nam shumë të keq, dhe vendimet që merren në këtë distrikt rrëzohen në përqindje më të larta se në çdo distrikt tjetër… Gjykatësit nuk duhet të merren me detyrën e ruajtjes së sigurisë,” shkruan presidenti.

Në të kaluarën rrallë herë kanë komentuar presidentët duke përmendur me emër dhe duke kritikuar një anëtar të Gjykatës së Lartë. Po ashtu, është i pashmebullt në kohët moderne reagimi kritik i kryetarit të Gjykatës së Lartë ndaj komenteve të presidentit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG