Lidhje

Trump shtyn takimin me zëvendës Prokurorin e Përgjithshëm


Presidenti amerikan Donald Trump vendosi ta shtyjë takimin me zëvendës Prokurorin e Përgjithshëm Rod Rosenstein. Presidenti, i cili sipas njoftimeve thuhet se po konsideron mundësinë e shkarkimit të zotit Rosenstein pritet të takohet me të javën e ardhshme. Rod Rosenstein është njeriut që mbikqyr hetimin e posaçëm për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders tha në një deklaratë se zoti Trump dhe zoti Rosenstein biseduan të enjten dhe ranë dakord të shtyjnë takimin, në mënyrë që të mos shpërqendojnë vëmendjen nga komisioni Juridik i Senatit ku po jepen dëshmitë e gjykatësit Brett Kavanaugh dhe profesores së psikologjisë Christine Blasey Ford.

Prej muajsh Presidenti Trump ka kritikuar mënyrën se si Departamenti i Drejtësisë po trajton hetimin për Rusisë, por tensionet mes zotit Trump dhe zotit Rosenstein u rritën javën e kaluar, kur gazeta “The New York Times” njoftoi se zëvendës Prokurori i Përgjithshëm kishte sugjeruar regjistrimin fshehurazi të zotit Trump për të marrë, siç thuhej në artikull, prova për të treguar se presidenti ishte i paaftë për të qeverisur. Zoti Rosenstein ka lëshuar dy deklarata duke mohuar kategorikisht pohimet në artikull.

Më parë të enjten, këshilltarja e presidentit Kellyanne Conway tha gjatë emisionit televiziv Fox and Friends se zoti Trump dhe zoti Rosenstein janë "të dy të angazhuar për të folur me njëri-tjetrin dhe për ta zgjidhur këtë situate një herë e përgjithmonë".

Aleatët republikanë të presidentit po bëjnë thirrje që zoti Rosenstein të dëshmojë përpara Kongresit lidhur me dyshimet për regjistrim të fshehtë të zotit Trump dhe mbi komentet e dyshura të tij rreth amendamentit 25-të të kushtetutës amerikane, që parashikon një proces për largimin nga detyra të një presidenti në detyrë.

Përmes një postimi në Twitter ligjvënësi Mark Meadows tha se dështimi për të marrë në pyetje zëvendës Prokurorin e Përgjithshëm mbi këtë çështje do të përbënte një "braktisje të detyrës".

Të mërkurën republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve nisën një proces për të siguruar marrjen e dokumentave të Departamentit të Drejtësisë të cilat dyshohet se përmbajnë informacion rreth komenteve të zotit Rosenstein. Grupi i republikanëve konservatorë të Kongresit, i lidhur me zotin Trump ka bërë një thirrje zyrtare duke kërkuar që zoti Rosenstein të dëshmojë.

Rod Rosenstein mbikqyr hetimin e pavarur për ndërhyrje të Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 të udhëhequr nga prokurori i posaçëm Robert Mueller.

Edhe pse disa zyrtarë të lartë të fushatës së zotit Trump e kanë pranuar fajësinë për akuza të ndryshme në lidhje me hetimin që po zhvillon zoti Mueller, presidenti thotë se i gjithë hetimi është një "gjueti shtrigash" pa vlerë.

Demokratët dhe disa republikanë në Kongres janë të shqetësuar se presidenti mund të shkarkojë zotin Rosenstein në një përpjekje për të mbyllur hetimin e Prokurorit të Posaçëm. Më parë gjatë kësaj jave, ligjvënësit demokratë ripërsëritën thirrjet ndaj republikanëve që të miratojnë projekligjin që synon të mbrojë hetimin e zotit Mueller.

Projektligji, i propozuar nga dy senatorë republikanë dhe dy demokratë, është miratuar në komision me mbështetje e republikanëve, por procesi për miratimin përfundimtar të tij ka ngecur.

Të mërkurën zoti Trump u tha gazetarëve në Nju Jork se ai preferon që ta mbajë në detyrë zotin Rosenstein.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG