Lidhje

Presidenti Trump paralajmëron për sulm me raketa ndaj Sirisë


Pas komenteve të ambasadorit të Rusisë në Liban se forcat ruse do të shkatërronin çdo raketë që niset drejt Sirisë, Presidenti amerikan Donald Trump tha të mërkurën se Rusia duhet të jetë gati, "sepse ato do të vijnë".

"Ju nuk duhet të jeni partnerë me një kafshë që vret popullin e vet me gaz dhe kënaqet duke e bërë këtë!" tha Presidenti Trump në Twitter.

Në mesazhin e plotë të Presidentit Trump në Twitter thuhet: "Rusia ka premtuar se do të qëllojë çdo raketë që do të hidhej kundër Sirisë. Përgatitu Rusi, sepse ato do të vijnë, të bukura, të reja dhe "inteligjente!" Ju nuk duhet të jeni partnerë me një kafshë që vret popullin e vet me gaz dhe kënaqet duke e bërë këtë!"

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha të mërkurën se të gjitha palët e përfshira në Siri duhet të përmbahen nga veprimet që mund të destabilizojnë rajonin.

Ndërsa zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse tha në përgjigje të komenteve të Presidentit Trump, se “raketat inteligjente duhet të drejtohen ndaj terroristëve, e jo ndaj qeverive të ligjshme”.

Situata në Siri është tensionuar më shumë pas një sulmi të dyshuar me armë kimike të shtunën në Gutën lindore, ku u vranë të paktën 40 vetë.

Shtetet e Bashkuara dhe disa aleatë të tyre kanë fajësuar forcat siriane për sulmin, ndërsa Siria dhe Rusia i kanë mohuar akuzat se sulmi me armë kimike është ndërmarrë nga ushtria e presidentit Bashar al-Asad.

Ambasadori i Rusisë në Liban, Alexander Zasypkin, paralajmëroi mbrëmë në televizionin al-Manar të Hezbollahut, se një goditje amerikane ndaj Sirisë do të shkaktonte një shkallëzim të madh të luftës atje.

Më herët, Presidenti Trump paralajmëroi se personat përgjegjës do të paguanin një "çmim të lartë" dhe bisedoi disa herë në telefon me homologët e tij britanikë dhe francezë për një përgjigje të mundshme ndaj sulmit kimik.

"Jemi duke kërkuar një përgjigje të koordinuar, pavarësisht se cila mund të jetë kjo përgjigje," tha të martën zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se një vendim do të merrej "në ditët e ardhshme" dhe se çdo sulm ajror do të synonte objektet kimike të qeverisë siriane.

Ministrja e Jashtme australiane Julie Bishop bëri të ditur sot mbështetjen e vendit të saj për çdo veprim ushtarak që "do të ketë një objektiv të përcaktuar, do të jetë i kalibruar dhe proporcional."

Përveç fajësimit të Sirisë, Presidenti Trump fajësoi më tej përkrahësit e Asadit në Iran dhe Rusi për sulmin në Ghoutan lindore. Një organizatë ndërkombëtare për mbikëqyrjen e armëve kimike tha se do të dërgojë një ekip për të hetuar incidentin.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha sot se sipas raporteve nga partnerët e saj, 500 njerëz që kërkuan trajtim mjeksor të shtunën shfaqën shenja dhe simptoma të ekspozimit ndaj kimikateve toksike. Organizata shprehu zemërim për përdorimin e dyshuar të armëve kimike dhe kërkoi qasje të menjëhershme në zonë për të ofruar kujdes shëndetësor.

Dje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Rusia i vuri veton një plani të hartuar nga Shtetet e Bashkuara që parashikonte ngritjen e një komisioni për të hetuar dhe përcaktuar përgjegjësinë e sulmit me armë kimike.

Shtëpia e Bardhë tha se zoti Trump anuloi një udhëtim në Amerikën Latine, që ishte planifikuar të premten, në mënyrë që të "mbikqyrte përgjigjen amerikane ndaj Sirisë". Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis gjithashtu anuloi planet e udhëtimit brenda vendit.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë refuzuan të thoshin nëse këto lëvizje pasqyronin mundësinë e veprimeve të zgjatura ushtarake në Siri, ose nëse ky veprim do të përbënte më shumë se një sulm të vetëm ajror.

Në Siri ndodhen më shumë se dy mijë trupa amerikane. Një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ndërmori mijëra sulme ajrore, kryesisht ndaj Shtetit Islamik dhe kryengritësve të tjerë ekstremistë.

Pothuajse një vit më parë, SHBA lëshoi 59 raketa kruz Tomahawk ndaj një baze ajrore siriane si kundërpërgjigje ndaj një sulmi tjetër me armë kimike.

Por, sipas analistëve, një reagim tepër i fuqishëm ndaj sulmit të fundit kimik rrezikon shkallëzimin e luftës civile në Siri dhe shtimin e tensioneve ushtarake midis fuqive të mëdha botërore, të cilat kanë të gjitha aleatë në terren.

"Këtu nuk ka asnjë përgjigje të lehtë," i tha Zërit të Amerikës admirali në pension Michael Mullen. "Është delikate dhe e rrezikshme. Jam i shqetësuar se kjo mund të zgjerohet mjaft shpejt", shtoi ai.

Rusia ka paralajmëruar për "pasoja të rënda" nëse Shtetet e Bashkuara sulmojnë Asadin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG